Shkup, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Deklarata e gjykatësit kushtetues Osman Kadriu se iniciativa e Pavle Trajanovit për rastet e Hagës është e pabazë dhe se bëhet fjalë për një çështje tashmë të gjykuar, rikthen në qendër të vëmendjes një debat që prej vitesh vazhdon të mbajë ngarkesë të fortë politike dhe emocionale në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, përtej dimensionit politik, qëndrimi i Kadriut e vendos diskutimin në një kornizë thelbësisht juridike a mund të rihapet pafundësisht një çështje për të cilën institucionet kompetente tashmë kanë vendosur? shkruan Zhurnal.
Tentativa për t’i rihapur rastet e Hagës
Në demokracitë moderne, stabiliteti juridik është një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës. Parimi “res judicata”, të cilit i referohet Kadriu, nuk është një formulë procedurale e zakonshme, por një garanci që vendimet juridike nuk mund të sfidohen pafundësisht për arsye politike apo për interesa të momentit. Nëse çdo çështje e mbyllur do të mund të rikthehej vazhdimisht në procedurë, atëherë siguria juridike do të humbte kuptimin e saj.
Në këtë kontekst, vlerësimi i Kadriut merr rëndësi të veçantë. Ai foli si gjykatës referues që ka përfunduar analizën e lëndës, ka hartuar raportin dhe ka paraqitur propozimin e tij të argumentuar me fakte dhe akte juridike. Pikërisht kjo e dallon qëndrimin e tij nga debatet politike që shpesh dominojnë hapësirën publike sa herë përmenden rastet e Hagës.
Megjithatë, fakti që kjo temë vazhdon të rikthehet tregon se plagët politike dhe shoqërore të konfliktit të vitit 2001 ende nuk janë mbyllur plotësisht. Për shumë qytetarë shqiptarë, rastet e Hagës lidhen me interpretimin e luftës dhe me statusin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Për një pjesë të opinionit maqedonas, nga ana tjetër, ekziston bindja se disa çështje nuk kanë marrë trajtimin e merituar juridik. Kjo e ka bërë temën vazhdimisht objekt përplasjeje politike.
Kadriu bëri të ditur se krahas tij, në dhjetor i përfundon mandati edhe kolegut të tij Darko, ndërsa pas dy muajsh pritet t’i skadojë mandati edhe gjykatësit Naser Ajdari.
“Edhe kolegu Darko edhe mu Osman Kadriu në dhjetor na skadon afati në Gjykatën Kushtetuese. Pas dy muajve edhe kandidatit të tretë, i skadon edhe gjykatësit të tretë Naser Ajdari i skadon afati. Atëherë çka do të ndodhë me lëndët? Jo për ato që nuk ka filluar procedura, por për ato që janë përfunduar nga gjykatësi referues. Unë si gjykatës kushtetues deri tash që i kam përfunduar lëndët ku paraqitem si gjyaktës referues, i kam dorëzuar ato lëndë, dhe ato duhet të kalojnë vetëm në seancë gjyqësore. Një prej aytre lëndëve që jam gjykatës referues është edhe landa për rastin e Hagës”, deklaroi Osmani për TV Shenja.
Çfarë ka referuar për rastet e Hagës Osman Kadriu?
“Për këtë lëndë, para pesë-gjashtë muajsh e kam përfunduar procedurën. Kam përgatitur raport në formë të shkruar dhe, në fund të raportit, siç është rregulli në Gjykatë, raporti ka edhe petitum. Petitumi është propozimi se cili duhet të jetë fati i iniciativës së paraqitur nga z. Pavle Trajanov. Iniciativa është pa bazë. Këtu një rrethanë shumë e rëndësishme është arsyeja pse e kam propozuar atë përfundim. E kam elaboruar me fakte dhe akte. Gjykata Kushtetuese për këtë çështje ka vendosur njëherë. Edhe në drejtësi këtë e quajmë res judicata, ose çështje e gjykuar”, deklaroi Kadriu.
Kujtojmë që, lënda që ka të bëjë me iniciativën e dorëzuar nga Pavle Trajanovi në shkurt të vitit 2024 i cili kërkon nga Gjykata Kushtetuese të shfuqizohet interpretimit autentik të nenit 1 të Ligjit për Amnisti, të miratuar nga Kuvendi në vitin 2011. Trajanov pretendon se përmes këtij interpretimi është zgjeruar në mënyrë të kundërligjshme amnistia e vitit 2002, duke përfshirë edhe katër rastet e Hagës: “Udhëheqësia e UÇK-së“, “Punëtorët e Mavrovës“, “Liqeni i Likovës“ dhe “Neproshteni”. Sipas tij, krimet e luftës kundër civilëve nuk parashkruhen dhe nuk mund të amnistohen përmes një interpretimi autentik. Ai argumenton se interpretimi i vitit 2011 është në kundërshtim me Kushtetutën, Kodin Penal dhe Konventat e Gjenevës. Nëse Gjykata e pranon iniciativën, mund të hiqet pengesa juridike që çoi në ndërprerjen e procedurave për këto katër raste.
Prandaj, paralajmërimet e Kadriut janë qartë dhe drejtë që për tre seancat vijuese nuk shkon lënda për gjykim për rastet e Hagës derisa referues i rasteve është Osman Kadriu, të cilit i përfundon mandati në dhjetor, në të kundërtën pas dhjetorit e njëjta lëndë mund t’i shpërndahet gjykatëve tjerë referues të cilët me të drejtë të plotë mund ta hedhin poshtë referimin që ka shkruar gjykatësi Osman Kadriu. Mbetet të shihet nëse vendi do të hundëroj në ujëra të turbullt. /Zhurnal.mk

