Pacientja më e re me kancer të qafës së mitrës është vetëm 18 vjeç, mjekët u bëjnë thirrje prindërve t’i vaksinojnë fëmijët e tyre

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Në vend ende ekziston një perceptim i gabuar se vizita te gjinekologu është e nevojshme vetëm kur gruaja mbetet shtatzënë ose kur ka ndonjë problem shëndetësor, thonë mjekët.

Virusi Human Papiloma (HPV) mund të jetë i pranishëm në organizëm për vite me radhë pa asnjë simptomë, ndërsa infeksioni afatgjatë me lloje të virusit me rrezik të lartë mund të çojë në zhvillimin e kancerit. Vaksinimi i vajzave dhe djemve para se të fillojnë aktivitetin seksual, së bashku me kontrollet e rregullta gjinekologjike dhe skriningun, janë kyçe për parandalimin e sëmundjeve të lidhura me HPV-në. Kjo u theksua në konferencën e sotme për shtyp të Shoqatës Maqedonase të Gjinekologëve dhe Obstetërve (MAGO), e mbajtur me rastin e Ditës Botërore për Eliminimin e Kancerit të Qafës së Mitrës.

Kryetari i MAGO-s, prof. dr. Gligor Tofoski, theksoi se me vaksinim dhe zbulim aktiv të ndryshimeve prekanceroze në fazë të hershme, kanceri i qafës së mitrës mund të bëhet sëmundje e së kaluarës. Sipas tij, vendet e zhvilluara tashmë tregojnë se një qëllim i tillë është i arritshëm, por për këtë është e nevojshme të rritet përfshirja në imunizim dhe të sigurohen kontrolle të rregullta parandaluese.

“Pacientja më e re me kancer cervikal tek ne është vetëm 18 vjeç. Me ndihmën e vaksinimit dhe skriningut aktiv, përmes të cilit sëmundjen do ta zbulojmë në fazat më të hershme, mund të krijojmë një shoqëri në të cilën kanceri i qafës së mitrës do të jetë pjesë e së kaluarës. Vaksina mbron nga HPV-ja, përfshirë edhe llojet me rrezikun më të lartë 16 dhe 18. Në vendet e zhvilluara tashmë jemi dëshmitarë se po ecet në atë drejtim. Qëllimi ynë duhet të jetë përfshirja sa më e madhe në vaksinim si te vajzat ashtu edhe te djemtë, sepse kemi një vaksinë që mund të parandalojë një pjesë të madhe të sëmundjeve të lidhura me HPV-në. Në vitin 2024 tek ne u fut vaksina nëntëvalente, e cila siguron mbrojtje nga nëntë lloje të virusit, prej të cilëve dy janë me rrezik të ulët, ndërsa shtatë janë lloje me rrezik të lartë që mund të shkaktojnë kancer si te gratë ashtu edhe te burrat”, tha Tofoski.

Ai theksoi se vaksinimi nuk duhet të trajtohet ekskluzivisht si mbrojtje e shëndetit të grave, pasi HPV-ja mund të shkaktojë sëmundje serioze edhe te popullata mashkullore.

Në konferencën për shtyp u theksua se në maj të vitit 2024 në vend u mundësua vaksinimi kundër HPV-së edhe për djemtë, me çka u zgjerua përfshirja e programit kombëtar të imunizimit.

Dr. Sonja Raleva, e cila është e përfshirë në procesin e vaksinimit të fëmijëve të moshës shkollore, shpjegoi se një nga rreziqet më të mëdha të HPV-së është fakti se infeksioni më së shpeshti nuk shkakton simptoma që do ta paralajmëronin pacientin se diçka po ndodh në organizëm.

“HPV-ja infekton si popullatën mashkullore ashtu edhe atë femërore. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme të kuptohet është se ky është një infeksion i heshtur. Nuk ka ndryshime dramatike që do ta alarmonin pacientin se diçka po ndodh. Virusi mund të jetë i pranishëm me muaj, madje edhe me vite. Nëse infeksioni me një lloj HPV-je me rrezik të lartë zgjat më gjatë, ai mund të shkaktojë komplikime serioze. Te burrat diagnoza shpesh vendoset më vonë, sepse për ta nuk kemi programe të organizuara skriningu siç ekzistojnë për kancerin e qafës së mitrës te gratë. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që fëmijët të mbrohen me vaksinë para se të vijnë në kontakt me virusin”, shpjegoi Raleva.

Ajo theksoi se në vend vaksinimi i rregullt zbatohet në klasën e shtatë, kur fëmijët janë rreth 12 vjeç. Në atë moshë vaksina merret në dy doza dhe përgjigjja imunitare është e mirë. Raleva iu referua edhe mosbesimit te një pjesë e prindërve, të cilët për shkak të frikës nga efektet e mundshme anësore hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

“Ekziston skepticizëm te prindërit lidhur me efektet anësore të vaksinës, ndërsa shpesh nuk merret parasysh përfitimi që fëmija e fiton me vaksinimin. Në këtë moshë krijohet një përgjigje e fortë imunitare dhe për këtë arsye insistojmë që vaksina të merret me kohë, para fillimit të aktivitetit seksual. Në natyrën tonë është të mos kemi frikë nga ajo që nuk e shohim. Por kur përballemi me një diagnozë, atëherë fillon paniku. Pikërisht për këtë arsye parandalimi është kaq i rëndësishëm. Nuk duhet të presim të shfaqet sëmundja që të fillojmë të mendojmë për mbrojtjen”, theksoi Raleva.

Mjekët thanë se po bëhen përpjekje në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar për Imunizim që të zgjerohet mundësia për vaksinim falas kundër HPV-së deri në moshën 26 vjeç. Aktualisht vaksinimi është falas për fëmijët e përfshirë në programin kombëtar, ndërsa për personat më të moshuar vaksina paguhet, përkatësisht vaksina është falas për të gjithë deri në moshën 19 vjeç, ndërsa për ata mbi këtë moshë kushton 8.000 denarë dhe duhet të merren 3 doza.

Gjinekologia amë Emilia Trajkovska paralajmëroi se ndryshimet prekanceroze në qafën e mitrës më së shpeshti nuk shkaktojnë dhimbje ose simptoma të tjera të dallueshme. Pikërisht për këtë arsye, kontrollet e rregullta gjinekologjike janë jashtëzakonisht të rëndësishme për zbulimin dhe trajtimin në kohë të ndryshimeve, para se ato të kalojnë në sëmundje malinje.

“Lezionet prekanceroze të qafës së mitrës nuk shkaktojnë dhimbje dhe nuk japin simptoma që gruaja mund t’i njohë. Prandaj shumë shpesh gratë nuk janë të vetëdijshme se ekziston një problem. Nëse këto ndryshime zbulohen me kohë, trajtimi mund të jetë shumë më i thjeshtë dhe më i suksesshëm. Fatkeqësisht, ende kemi gra që nuk shkojnë rregullisht te gjinekologu, disa për shkak të frikës nga kontrolli, të tjera sepse mendojnë se nuk ka nevojë nëse nuk kanë asnjë shqetësim. Por ato pak minuta të kushtuara një kontrolli parandalues mund të jenë vendimtare për shëndetin e tyre”, tha Trajkovska.

Ajo theksoi se në vend ende ekziston perceptimi i gabuar se vizita te gjinekologu është e nevojshme vetëm gjatë periudhës së shtatzënisë ose kur gruaja ka ndonjë problem shëndetësor.

“Tek ne ende mbizotëron mendimi se te gjinekologu shkohet vetëm kur gruaja është shtatzënë ose kur ka ndonjë problem. Kjo duhet të ndryshojë. Kontrollet e rregullta janë të rëndësishme pikërisht kur gruaja nuk ka asnjë simptomë. Njëkohësisht, dua t’u bëj thirrje prindërve që me kohë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Me këtë ne nuk e përcaktojmë jetën e tyre seksuale dhe as nuk i nxisim për aktivitet seksual, por i mbrojmë nga infeksione të cilat më vonë mund të shkaktojnë ndryshime prekanceroze dhe kancer. Me vaksinim dhe kontrolle të rregullta parandaluese mund të parandalojmë një numër të madh sëmundjesh serioze”, theksoi Trajkovska.

Në konferencën për shtyp u vu në dukje edhe nevoja për një përfshirje më të madhe në vaksinim në më shumë qytete dhe komuna, ndër to Shkupi, Ohri dhe Manastiri, si dhe komunat e Shkupit Qendër, Çair dhe Karposh.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës si problem i shëndetit publik, deri në vitin 2030 vendet duhet të arrijnë tre objektiva: 90 për qind e vajzave të vaksinohen kundër HPV-së deri në moshën 15-vjeçare, 70 për qind e grave të përfshihen me skrining adekuat deri në moshën 35 vjeç dhe përsëri deri në moshën 45 vjeç, si dhe 90 për qind e grave me ndryshime prekanceroze ose kancer të diagnostikuar të marrin trajtimin e duhur.

artikuj të ndërlidhura