Duhet të ndryshojë mentaliteti që agresivitetin e burrit e paraqet si “fuqi”, ndërsa nga gruaja kërkon nënshtrim dhe heshtje

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 nëntor Zhurnal.mk – Dhuna ndaj grave në Maqedoninë e Veriut po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa rastet e fundit të dhunës brutale ndaj grave dhe vajzave kanë rikthyer në vëmendje nevojën për ndryshime të thella shoqërore, kulturore dhe institucionale.

Psikologia sociale dhe psikoterapeutja familjare e sistemike, Ivana Stojmenovska, në një prononcim për gazetën “Fokus”, vlerëson se dhuna ndaj grave nuk është vetëm problem individual, por një anomali serioze shoqërore, e ushqyer nga mentaliteti patriarkal, stereotipat gjinorë dhe mosndëshkimi i vazhdueshëm i autorëve të dhunës.

Rasti i fundit i Sarës Gjorgjievska nga Ohri, e cila u rrah brutalisht nga partneri i saj, Kristian Koruboski, si dhe raste të tjera të dhunës ndaj grave në vend, kanë tronditur opinionin publik.

Sipas dëshmisë së nënës së Sarës, e cila u bë publike, vajza ishte rrahur deri në humbjen e vetëdijes, ndërsa i dyshuari kishte menduar se ajo kishte vdekur dhe kishte kërkuar ndihmë nga babai i tij për mënyrën se si të largohej nga trupi i saj. Nëna pretendon gjithashtu se telefoni i vajzës ishte shkatërruar që ajo të mos kishte mundësi të kërkonte ndihmë.

Fillimisht, ndaj të dyshuarit ishte ngritur kallëzim penal për lëndim trupor, por pas reagimeve të shumta publike, Prokuroria e Ohrit ngriti aktakuzë për tri vepra penale: lëndim të rëndë trupor, privim të kundërligjshëm nga liria dhe rrezikim të sigurisë. Gjykata i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa procesi gjyqësor ishte caktuar për 27 nëntor.

Në këtë kontekst, Stojmenovska thekson se dhuna është bërë një fenomen shqetësues, i cili në shumë raste tolerohet dhe normalizohet nga mjedisi shoqëror.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë periudhës janar-tetor 2026 në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1.897 raste të dhunës në familje, krahasuar me 1.125 raste në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo paraqet një rritje prej rreth 70 për qind.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Klinikës së Psikiatrisë, gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026 janë evidentuar 101 pacientë me çrregullime të rënda të lidhura me stresin dhe traumën, si pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës familjare ose asaj në marrëdhëniet intime. Kjo shifër është dukshëm më e lartë krahasuar me 79 rastet e regjistruara gjatë gjithë vitit 2025.

“Edhe pse po fillojmë të ndërmarrim veprime për këtë problematikë shqetësuese, duket qartë se nuk po bëjmë mjaftueshëm, as si shoqëri dhe as si individë në nivelin e funksionimit familjar, kur raste të tilla gjithnjë e më shpesh tronditin opinionin publik”, thekson Stojmenovska.

Ajo vlerëson se rrënjët e problemit janë shumë më të thella dhe lidhen me dimensionin kulturor të mentalitetit ballkanik, ku vazhdojnë të mbizotërojnë modelet patriarkale dhe stereotipat gjinorë.

“Vazhdojnë të ekzistojnë norma që e justifikojnë agresivitetin mashkullor si shenjë të ‘fuqisë’, madje edhe të ‘nderit’, ndërsa nga gruaja pritet nënshtrim, durim dhe heshtje”, shprehet psikoterapeutja.

Sipas saj, ende në shekullin XXI ekzistojnë praktika diskriminuese në ndarjen e pasurisë familjare, ku favorizohet fëmija mashkull, ndërsa vajza shpesh lihet në plan të dytë dhe konsiderohet si dikush që do të largohet nga familja pasi të martohet.

Ajo shton se gratë që rriten në mjedise të tilla shpesh e kanë më të vështirë të zhvillojnë mekanizma për ta njohur dhe përballuar dhunën.

Në marrëdhëniet abuzive, sipas saj, dhuna fizike shpesh paraprihet nga vite të tëra manipulimi, izolimi, kontrolli, nënçmimi dhe fajësimi i viktimës për veprime që nuk i ka kryer. Këto sjellje mund të shoqërohen edhe me tolerancë të ulët ndaj frustrimit, ndërsa alkooli dhe substancat e ndaluara mund ta përkeqësojnë situatën.

Stojmenovska paralajmëron gjithashtu se perceptimi se autorët e dhunës mund t’i shmangen përgjegjësisë përmes lidhjeve personale, familjare apo politike, krijon një klimë që mund ta nxisë edhe më tej këtë fenomen.

Ajo thekson se një person i rritur në një mjedis ku nuk kultivohet dominimi mashkullor dhe nënshtrimi i gruas, ku respektohen emocionet dhe vlerat morale, ka më shumë mundësi të zhvillojë marrëdhënie të shëndetshme dhe sjellje pa dhunë.

Në fund, psikoterapeutja nënvizon se luftimi i këtij fenomeni kërkon shumë më tepër sesa vendime individuale gjyqësore.

“Nevojitet një ndryshim i thellë kulturor përmes edukimit për inteligjencën emocionale, zbatimit të vazhdueshëm dhe të barabartë të ligjeve, si dhe mbështetjes së vazhdueshme psikologjike për viktimat”, përfundon Stojmenovska.

Mesazhi i saj është se dhuna ndaj grave nuk mund të luftohet vetëm pasi të ndodhë një tragjedi. Ndryshimi duhet të fillojë nga familja, edukimi dhe shoqëria, duke mos toleruar asnjë formë të dominimit, frikësimit dhe nënshtrimit të grave.

https://fokus.mk/dkjchdksjtsdftssdstoimenovska-zajgzjguj-fokus-da-prestane-vladeeneto-na-balkanskiot-mentalitet-koj-ja-opravduva-mashkata-agresivnost-kako-mok-a-od-zhenata-se-ochekuva-pokornost-i-molchene/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër