Rama: KE rekomandoi nisjen e përgatitjeve për traktatin e anëtarësimit në BE, pavarësisht britmave të opozitës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027 dhe paketën e re fiskale, ndërsa në fjalën e tij u ndal edhe te raporti i progresit të Komisionit Europian dhe ecuria e procesit të integrimit.

Rama u shpreh se raporti i progresit duhet parë përtej, siç tha ai, zhurmës dhe interpretimeve që bëhen në publik, duke theksuar se dokumenti përmban argumente për vijimin e punës së qeverisë.

“Në raportin e progresit të BE-së ka një togfjalësh që i thotë të tëra, arsye pse ne jemi krenarë për punën tonë, që i thotë të tëra arsye pse ne duhet dhe do ta vazhdojmë deri në fund punën tonë. Që i thotë të tëra arsye përse askush tjetër nuk e bën dot punën tonë”, deklaroi kryeministri.

Ai iu referua rekomandimit të Komisionit Europian për nisjen e përgatitjeve për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Komisioni Europian i rekomandon Këshillit Europian që në vitin 2027, pra në vitin që po troket, të nisë përgatitjet për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, ky rekomandim nuk do të ishte i mundur nëse Shqipëria nuk do të kishte shënuar progres në procesin e integrimit.

“Nuk ka asnjë mundësi dhe nuk ka asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë historik t’i bëhet Këshillit nga KE, në rast se vendi do të ishte ai që përpiqen me këmbë e me duar, me britma si të shurdhuar, ata që në këtë sallë kërkojnë edhe që të diskutohet për protestat”, tha Rama, duke iu drejtuar opozitës.

Kryeministri foli edhe protestat, duke i cilësuar ato si pjesë normale të jetës politike në një demokraci, ndërsa kritikoi opozitën për qëndrimin ndaj tubimeve.

“Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë është gjëja më e natyrshme. Të jesh në pushtet dhe të kërkojnë llogari me protesta është gjëja më e natyrshme, por të jesh në opozitë dhe të mos të të pranojnë të afrohesh te protesta është gjëja më e dhimbshme”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se, kjo situatë tregon se opozita nuk është politikisht relevante në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër