Çitaku pret në takim ambasadorin Malaj: Mbrojtja e UÇK-së dhe e çlirimtarëve është mision i përbashkët i të gjithë shqiptarëve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, së bashku me sekretarin për politika programore të PDK-së, Bajrush Xhemajli, priti në takim përshëndetës ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.

Çitaku e falënderoi ambasadorin Malaj për bashkëpunimin e ngushtë dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo vlerësoi punën e ambasadorit Malaj gjatë mandatit në Kosovë dhe i uroi suksese në misionin e ri si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.

Ambasadori Malaj shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin me PDK-në dhe vlerësoi rolin e saj historik për Kosovën dhe shqiptarët. Ai i uroi Çitakut punë të mbarë dhe suksese në përgjegjësinë e ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së.

Çitaku dhe Malaj diskutuan për të ardhmen e përbashkët euroatlantike, duke vlerësuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe duke nënvizuar nevojën që edhe Kosova të shënojë hapa konkretë drejt realizimit të këtij vizioni shtetëror.

Gjatë takimit u shpreh solidaritet me çlirimtarët në Hagë dhe u theksua rëndësia e një procesi të drejtë e të paanshëm. Në takim u nënvizua se mbrojtja e së vërtetës për luftën e UÇK-së, e historisë dhe e së ardhmes së Kosovës është mision i përbashkët i të gjithë shqiptarëve.

Çitaku riafirmoi se PDK-ja do të jetë pranë çlirimtarëve në çdo hap të procesit të apelit dhe shprehu besimin se kjo fazë do të çojë në rrëzimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe në lirimin e plotë të tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër