Bozhinovska: Pas tri dekadash varësie nga një burim i vetëm i gazit, RMV siguron alternativa

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut po ndërton infrastrukturë të re energjetike, po hap drejtime alternative të furnizimit dhe po forcon qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike. Këto procese janë pjesë e qasjes strategjike drejt sigurisë më të madhe energjetike, të cilën ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve Minerale, Sanja Bozhinovska, e prezantoi në diskutimin e parë në panel, në kuadër të takimit të shtatë të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energjetikë (P-TEC), në Varshavë.

Në panelin me temë „Forcimi i sigurisë energjetike evropiane: qëndrueshmëria e infrastrukturës kritike dhe diversifikimi i furnizimit“, Bozhinovska theksoi se bashkëpunimi rajonal është prioriteti kryesor, pasi asnjë vend nuk mund të sigurojë siguri energjetike afatgjatë i izoluar nga tregjet rajonale dhe lidhjet infrastrukturore.

„Për tri dekada kishim vetëm një burim për furnizimin me gaz natyror – përmes Bullgarisë. Megjithatë, monopoli nuk është zgjidhje e mirë, veçanërisht për një vend pa dalje në det. Prandaj vendosëm të sigurojmë alternativa“, theksoi Bozhinovska.

Ministrja theksoi se ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë pritet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa gazsjellësi është përgatitur edhe për transportin e hidrogjenit. Paralelisht po punohet për lidhjen e gazit me Serbinë, me çka vendi do të fitojë mundësi të reja për qasje në tregjet rajonale dhe burime shtesë të furnizimit.

Në pjesën e energjetikës elektrike, Bozhinovska informoi se po ndërmerren aktivitete për lidhje me Shqipërinë, ndërsa si hap të rëndësishëm në diversifikim e theksoi edhe rivënien në funksion të produktpërçuesit për transportin e derivateve të naftës me Greqinë, i cili, pas 12 vitesh pasiviteti, filloi të punojë këtë vit.

Duke folur për qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike energjetike, ministrja theksoi se sfidat e reja të sigurisë, duke përfshirë edhe sulmet kibernetike dhe kërcënimet nga dronët, kërkojnë një qasje tjetër në planifikimin dhe menaxhimin e sistemeve energjetike.

„Janë shtetet ato që duhet t’i krijojnë politikat dhe legjislacionin, në mënyrë që sektori privat të mund t’i zbatojë ato. Por, nevojitet një bashkëpunim i madh. Duhet t’i dëgjojmë investitorët dhe, njëkohësisht, ta mbrojmë infrastrukturën kritike“, theksoi Bozhinovska.

Theks i veçantë në diskutim iu kushtua sfidave në zinxhirët e furnizimit dhe afateve të gjata për prokurimin e pajisjeve kyçe energjetike. Bozhinovska theksoi se një investitor i interesuar për ndërtimin e një turbine me gaz e kishte marrë termin e parë të disponueshëm për dorëzim vetëm në vitin 2032, gjë që tregon seriozitetin e sfidës me të cilën përballen projektet energjetike.

Ajo theksoi se investimet e reja duhet që, që në fazën e planifikimit, të marrin parasysh ndryshimet teknologjike, nevojën për sisteme rezervë dhe rreziqet e reja, veçanërisht në kushtet e zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, qendrave të të dhënave dhe teknologjive të reja energjetike.

„Ajo që ndodhi në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit gjeopolitike janë një mësim i rëndësishëm. Sot duhet të mendojmë për zgjidhje rezervë, teknologji dhe bashkëpunim më të madh rajonal. Infrastruktura energjetike po ndryshon dhe po bëhet gjithnjë e më e varur nga teknologjia“, theksoi ministrja.

Sa i përket mbrojtjes aktive të infrastrukturës energjetike dhe rolit të NATO-s, Bozhinovska vlerësoi se, me rritjen e kërcënimeve nga dronët dhe sulmet kibernetike, mekanizmat për konsultime dhe koordinim në kuadër të Aleancës do të fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi.

Në diskutimin në panel morën pjesë edhe ministri i Energjetikës i Lituanisë, Lukas Savickas, Pjer Beshelani, përfaqësues i kompanisë Fluor, dhe Roxher Martela nga GE Vernova. Diskutimin e moderoi Benjamin Shmit nga Universiteti i Pensilvanisë.

Takimi i shtatë i P-TEC në Varshavë bashkon përfaqësues qeveritarë, institucione ndërkombëtare dhe liderë të sektorit energjetik nga Evropa dhe SHBA-ja, me fokus në sigurinë energjetike, infrastrukturën strategjike, diversifikimin e furnizimit dhe bashkëpunimin transatlantik në fushën e energjetikës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër