Ambasadori Malaj: Integrimi në BE, objektiv strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, ndërsa rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian kërkon vijimin e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike.

Kështu u shpreh ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, gjatë një ligjërate në Kolegjin AAB në Prishtinë, me temë “Aspirata evropiane e Shqipërisë: nga sfidat historike të shekullit XX, te sfidat gjeopolitike të shekullit XXI”.

Në kuadër të aktivitetit “Albania’s European Week”, Malaj, së bashku me ministren këshilltare Pranvera Teli, diskutoi me studentët dhe stafin akademik mbi procesin e integrimit evropian, ecurinë e negociatave dhe reformat transformuese në Shqipëri.

Gjatë bashkëbisedimit u theksua rëndësia e shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike dhe ndërtimit të një ekonomie konkurruese, si elemente thelbësore për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Vëmendje iu kushtua gjithashtu rolit të të rinjve dhe universiteteve në këtë proces, si dhe perspektivës së përbashkët evropiane të Shqipërisë dhe Kosovës.

Përpara ligjëratës, ambasadori Malaj u prit nga rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri. Në përfundim të aktivitetit, ai zhvilloi edhe një takim me akademikun Lulëzim Tafa, duke shprehur mirënjohjen për mikpritjen dhe bashkëbisedimin me pedagogët, stafin dhe studentët e kolegjit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër