Ibrahimaj: Dyfishohen shtesat mujore për pensionistët, 24 miliardë lekë për rritjen e të ardhurave

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Dyfishimi i shtesave mujore për pensionistët, 24 miliardë lekë për indeksimin dhe mbështetjen e pensioneve, ulja e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës ushqimore dhe lehtësimi i barrës fiskale për pagat janë disa nga masat kryesore të Projektbuxhetit 2027, të prezantuara nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë seancës së sotme plenare të Kuvendit, ku u diskutua projektbuxheti i vitit të ardhshëm.

Duke prezantuar prioritetet e buxhetit të MEI, Ibrahimaj deklaroi se politikat ekonomike dhe fiskale synojnë që rritja ekonomike të përkthehet drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, përmes të ardhurave më të larta, kostove më të përballueshme të jetesës, mbështetjes për strehimin dhe krijimit të mundësive të reja për punësim.

Për vitin 2027, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit parashikon një buxhet prej rreth 42 miliardë lekësh, nga të cilat 28,13 miliardë lekë për financimin e diferencës së skemës së sigurimeve shoqërore, 5,07 miliardë lekë për arsimin e mesëm profesional, 3,8 miliardë lekë për programet e tregut të punës dhe 1,2 miliardë lekë për strehimin.

Një nga masat kryesore lidhet me rritjen e të ardhurave të pensionistëve. Sipas ministres, në vitin 2027 shtesat mujore do të dyfishohen për të gjitha kategoritë. Konkretisht, pensionistët me pension urban të plotë do të përfitojnë 3 600 lekë në muaj, nga 1 800 lekë që marrin aktualisht; pensionet urbane të pjesshme do të përfitojnë 1 600 lekë, nga 800 lekë; pensionet rurale 2 000 lekë, nga 1 000 lekë; pensionet familjare 1 400 lekë, nga 700 lekë, ndërsa shtesa për pensionet e invaliditetit të punës do të rritet në 1 200 lekë, nga 600 lekë.

Për këtë politikë janë parashikuar 20 miliardë lekë, ndërsa 4 miliardë lekë të tjera do të financojnë indeksimin e pensioneve, me zbatim të planifikuar nga prilli 2027. Në total, fondi për shtesat mujore dhe indeksimin arrin në 24 miliardë lekë.

Ibrahimaj bëri të ditur gjithashtu se objektivi deri në vitin 2030 është që asnjë pensionist urban me vite të plota pune të mos marrë më pak se 40 mijë lekë në muaj.

Në fokus të Paketës Fiskale 2027 është edhe lehtësimi i barrës tatimore për të punësuarit. Ministrja tha se propozohet rritja e pragut të pagës për të cilën zbatohet norma 23% e tatimit mbi të ardhurat nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj. Sipas saj, një punonjës me pagë bruto 250 mijë lekë do të paguajë rreth 5 mijë lekë më pak tatim çdo muaj, ndërsa nga kjo masë pritet të përfitojnë rreth 32 200 të punësuar.

Një tjetër masë e rëndësishme është ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës ushqimore, përfshirë mishin, peshkun, qumështin, kosin, vezët, miellin, orizin, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për fëmijët.

Sipas ministres, kjo nismë parashikon një efekt prej 12,8 miliardë lekësh në të ardhurat tatimore, me synimin që lehtësimi fiskal të reflektohet në çmimet për konsumatorët. Për këtë qëllim, do të përdoret edhe platforma “Pasqyra e çmimeve” për monitorimin e ecurisë së tyre, ndërsa po përgatitet një nismë ligjore për të forcuar kompetencat e institucioneve publike në garantimin e reflektimit të uljes së TVSH-së në çmimet e produkteve.

Ministrja u ndal edhe te mbështetja për strehimin, duke bërë të ditur se synohet krijimi i 10 mijë mundësive për përfituesit përmes subvencionimit të interesave të kredive dhe qirave, me fokus çiftet e reja dhe studentët e masterit.

Sa i përket punësimit, Ibrahimaj theksoi zgjerimin e Garancisë Rinore në të gjithë vendin, si dhe vijimin e programeve të nxitjes së punësimit dhe mbështetjes së inovacionit e sipërmarrjes. Ajo përmendi gjithashtu instrumentet e financimit dhe garancinë sovrane për bizneset që synojnë zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve për zhvillimin e industrisë vendase, ministrja bëri të ditur se ka përfunduar konsultimi publik për projektligjin “Made in Albania”, që synon nxitjen dhe promovimin e produkteve shqiptare.

Paralelisht, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po përgatit një nismë për përshpejtimin industrial, e cila do të mbështetet në një analizë të sektorëve me potencial zhvillimi dhe mundësi integrimi në zinxhirët e vlerës të Bashkimit Europian. Analiza pritet të zhvillohet gjatë muajit dhjetor, në bashkëpunim me sektorët e industrisë dhe shoqatat e biznesit.

Ibrahimaj nënvizoi se Projektbuxheti 2027 mbështet gjithashtu procesin e integrimit europian, përmes financimit të nismave që synojnë përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë dhe përafrimin me standardet europiane.

Ajo e cilësoi buxhetin si një instrument që synon të lidhë zhvillimin ekonomik me përmirësimin e drejtpërdrejtë të jetesës së qytetarëve, duke ftuar deputetët ta mbështesin me votë në Kuvend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër