Shkup, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Studentët në Maqedoninë e Veriut tradicionalisht kanë qenë të ndarë në grupe të ndryshme, shpesh sipas universitetit ku studiojnë, gjuhës së mësimit, përkatësisë etnike apo edhe orientimeve politike. Në kampuset universitare ka pasur gjithmonë kauza lokale, kërkesa të veçanta dhe pak iniciativa që arrinin të tejkalonin kufijtë institucionalë e etnikë. Pikërisht për këtë arsye, mobilizimi aktual rreth shujtës studentore paraqet një fenomen të rrallë dhe politikisht domethënës, shkruan Zhurnal.
Studentët nuk heqin dorë nga kërkesa për rritje të shujtës
Për herë të parë pas shumë vitesh, studentët shqiptarë, maqedonas, turq, boshnjakë e të tjerë nuk po diskutojnë për dallimet mes tyre, por për një problem të përbashkët që prek secilin prej tyre njësoj. Çmimi i ushqimit nuk njeh etni, as universitet. Vështirësia për të përballuar shpenzimet ditore është e njëjtë si në Shkup, Tetovë, Manastir apo Shtip.
Shujta studentore ka arritur të bëhet një pikë takimi mes interesave të ndryshme studentore, sepse prek nevojën më elementare të çdo studenti, ushqimin. Në një periudhë kur kostoja e jetesës vazhdon të rritet, pyetja nuk është më se cilit grup i takon një student, por nëse ai mund ta përballojë një ditë normale studimi.
Prandaj, kjo kauzë është shumë më tepër sesa një debat për disa qindra denarë shtesë. Ajo po shndërrohet në një test për fuqinë e organizimit studentor dhe për aftësinë e institucioneve që të dëgjojnë një zë që vjen nga të gjithë kampuset universitare pa përjashtim.
Të hënën pritet të bëhet e ditur se cilin model të subvencionimit të shujtës studentore kanë përzgjedhur studentët në referendumin e organizuar nga Trupi Nacional Studentor. Rezultatet do të përcaktojnë drejtimin e mëtejshëm të procesit, por jo edhe thelbin e kërkesës së studentëve. Pavarësisht modelit që do të zgjidhet, qoftë ai ekzistues apo një sistem i ri digjital, mesazhi mbetet i pandryshuar rritja e shujtës duhet të ndodhë menjëherë.
Qëndrimi i studentëve është i qartë sepse argumentohet me realitetin ekonomik. Shujta studentore nuk është rritur tash e tre vjet, ndërkohë që çmimet e ushqimeve, shërbimeve dhe qirasë janë rritur vazhdimisht. Në këto rrethana, kërkesa për rritje nuk paraqet luks apo privilegj, por një nevojë minimale për të ruajtur standardin bazë të jetesës së studentëve.
Edhe pse studentët e pranojnë propozimin që shuma mujore të rritet nga 3.500 në 4.500 denarë, ata kundërshtojnë fuqishëm shtyrjen e zbatimit deri në vitin akademik 2027-2028. Në logjikën e tyre, një masë që hyn në fuqi pas dy vitesh humb një pjesë të madhe të vlerës reale për shkak të inflacionit. Ajo që sot konsiderohet rritje, nesër mund të jetë thjesht kompensim i rritjes së çmimeve.
Mbi të gjitha, studentët po artikulojnë një argument të thjeshtë por të fuqishëm ata jetojnë dhe studiojnë sot. Problemeve të sotme nuk mund t’u jepen zgjidhje të shtyra për nesër. Nëse institucionet e pranojnë se shujta duhet të rritet, atëherë shtrohet pyetja logjike se përse kjo të mos ndodhë menjëherë. Kjo është arsyeja pse kauza nuk po zbehet, por po fiton mbështetje gjithnjë e më të gjerë në mesin e studentëve.
Derisa studentët në Shqipëri e Serbi lëkundën shtetet, RMV nuk duhet të jetë indiferente në këto rrethana
Historia e rajonit tregon se lëvizjet studentore rrallëherë mbeten vetëm brenda auditorëve universitarë. Në momentin kur studentët arrijnë të bashkohen rreth një kërkese të përbashkët, ndikimi i tyre tejkalon kufijtë e kampuseve dhe reflektohet në gjithë shoqërinë. Shembujt e fundit nga Serbia dhe Shqipëria dëshmojnë se energjia studentore mund të shndërrohet në një forcë të fuqishme politike dhe shoqërore, e aftë të ushtrojë presion të madh mbi institucionet.
Pikërisht për këtë arsye, Maqedonia e Veriut nuk duhet ta trajtojë me indiferencë pakënaqësinë e studentëve. Ajo që sot paraqitet si kërkesë për rritjen e shujtës studentore, nesër mund të shndërrohet në pakënaqësi më të gjerë ndaj mënyrës se si trajtohen të rinjtë, arsimi i lartë dhe standardi studentor. Injorimi i kërkesave legjitime zakonisht nuk i zgjidh problemet, por vetëm i shtyn ato për në një fazë më të ndërlikuar.
Kështu që, shujta studentore nuk është më vetëm një çështje financiare pasi është kthyer në simbol të dinjitetit studentor dhe në dëshminë më të qartë se të rinjtë mund të bashkohen kur bëhet fjalë për interesin e përbashkët. Për herë të parë pas shumë vitesh, studentët e universiteteve dhe komuniteteve të ndryshme po flasin me një zë të vetëm. Tani radha është e institucioneve ose do ta dëgjojnë këtë zë dhe do të veprojnë në kohë, ose do të përballen me një lëvizje që dita ditës po bëhet më e madhe, më e organizuar dhe më e vendosur. /Zhurnal.mk

