Zhupa: Qeveria refuzon shfuqizimin e ligjit që hap rrugën për ndërtime në zonat e mbrojtura

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, njëherësh kryetare e komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, tha sot se qeveria po refuzon shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura. Sipas saj qeveria po mbron planet e ndërtimit dhe interesat private në dëm të trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.

Zhupa bëri të ditur se më 14 maj 2026 ka depozituar në Kuvend projektligjin për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, me argumentin se ndryshimet e miratuara kanë dobësuar mbrojtjen e zonave natyrore dhe kanë krijuar hapësira për zhvillime turistike e ndërtimore në territore ekologjikisht të ndjeshme.

Duke komentuar vendimin datës 12 nëntor të Këshillit të Ministrave, i cili shprehet kundër shfuqizimit të ligjit, deputetja e PD-së deklaroi se argumentet e qeverisë nuk qëndrojnë.

“Së pari, shfuqizimi do të krijonte mundësinë që të prisheshin planet e tyre ndërtimore të parashikuara tashmë në Zvërnec dhe kudo nëpër Shqipëri. Dhe këtë se pranon dot Edi Rama. Këshilli i Ministrave pretendon se shfuqizimi mund të cenojë sigurinë juridike të atyre që kanë marrë projekte ndërtimore, sepse ligji ka prodhuar akte nënligjore, vendime dhe procedura administrative”, u shpreh Zhupa duke theksuar se kjo nuk është arsye për të mos e shfuqizuar. Përkundrazi, është arsyeja kryesore pse kërkohet shfuqizimi.

Një tjetër argument i kundërshtuar prej saj lidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 45, datë 31.07.2025, që rrëzoi kërkesën e një të pestës së deputetëve për shfuqizimin e ligjit. Zhupa theksoi se kontrolli i kushtetutshmërisë së një ligji nga Gjykata Kushtetuese është një çështje e ndryshme nga e drejta e Kuvendit për ta ndryshuar apo shfuqizuar atë.

Së treti, shtoi Zhupa “qeveria e redukton mbrojtjen e natyrës tek një procedurë VNM-je për çdo projekt. Ky është një nga problemet më serioze të argumentimit të qeverisë”.

“Ajo thotë se nuk ka ndalim absolut të aktiviteteve në zonat e mbrojtura dhe se çdo projekt duhet të vlerësohet individualisht përmes procedurave të ndikimit në mjedis. Por mbrojtja e një zone nuk mund të varet vetëm nga fakti nëse një projekt kalon apo jo një procedurë administrative. Mbrojtja fillon nga vetë statusi, kategoria, zonimi dhe kufizimet ligjore të territorit.

“Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis nuk është zëvendësues i një regjimi të fortë ligjor të mbrojtjes. Ai nuk mund të kompensojë heqjen e garancive që duhet të ekzistojnë përpara se të paraqitet një projekt investimi”, tha ajo.

Në fjalën e saj, deputetja e PD-së iu referua edhe rezolutës së Parlamentit Europian të 17 qershorit 2026 për Shqipërinë, duke theksuar se kërkohet shfuqizimi i ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.

Sipas saj qeveria nuk mund të flasë për integrim europian dhe njëkohësisht të refuzojë të zbatojë mesazhin politik të institucioneve europiane pikërisht për një çështje që lidhet me Kapitullin 27, Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër