Prishtinë, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Erërat e fuqishme që kanë përfshirë mbrëmjen e sotme territorin e Ferizajt, përfshirë edhe rrugët magjistrale, kanë shkaktuar dëme materiale në biznese, ndërtesa publike dhe automjete. Po ashtu, është raportuar për një person të lënduar në Ferizaj.
Kështu bën të ditur Policia e Kosovës, në një njoftim të publikuar të enjten në orët e vona.
Ndryshe, Policia Rajonale e Ferizajt kishte apeluar te të gjithë qytetarët që të shmangin daljet dhe lëvizjet e panevojshme, për të parandaluar rreziqet e mundshme nga kjo situatë.
Ndërkaq, si pasojë e erërave të forta dëme dhe avari është shkaktuar edhe në infrastrukturën energjetike.
KEDS-i mbrëmë kishte njoftuar se me kërkesë të Policisë së Kosovës ishte ndërprerë energjia elektrike në Ferizaj.
“Kjo ndërprerje është si masë preventive me qëllim sigurinë e përgjithshme të qytetarëve”, thuhej në njoftimin e KEDS-it.

