LSDM me amendamente kërkon 2.500 denarë më shumë në muaj për shujtën studentore dhe bursa prej 8.000 denarësh

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 nëntor, Zhurnal.mk – LSDM dhe koalicioni, përmes amendamenteve në Propozim-buxhetin për vitin 2027, kërkojnë pagë minimale më të lartë prej 600 eurosh, më shumë mjete për qytetarët dhe për të rinjtë. Ata propozojnë që shujta studentore të rritet për 2.500 denarë në muaj, ndërsa bursat studentore nga 6.050 të rriten në 8.000 denarë.

Propozimet i paraqiti deputeti dhe koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, në një konferencë për media me rastin e fillimit të debatit për amendamentet.

“Në arsimin kemi kërkuar mjete për rritjen e shujtës studentore për 2.500 denarë në muaj, rritjen e bursave nga 6.050 në 8.000 denarë, mbështetje financiare për studentët, për qendrat rajonale të arsimit profesional dhe për dhunën mes bashkëmoshatarëve në shkolla”, tha Spasovski.

Ai theksoi se me amendamentet kërkohen edhe mjete për mirëmbajtjen e rregullt të shkollave fillore dhe të mesme për shkak të mungesës së fondeve në bllok-dotacionet.

“Në fakt, ajo që ndodhi në periudhën e kaluar, ndërprerja e energjisë elektrike në fakultete, në Rektorat dhe në disa prej shkollave, nuk guxojmë ta lejojmë si shtet”, theksoi Spasovski.

LSDM dhe koalicioni kanë dorëzuar gjithsej 225 amendamente, prej të cilave 64 janë të përgjithshme, ndërsa 161 kanë të bëjnë me projekte për komunat.

Spasovski bëri thirrje për debat të argumentuar në Komisionin për Financim dhe Buxhet dhe kërkoi nga shumica parlamentare t’i mbështesë propozimet që u përgjigjen nevojave të qytetarëve.

“Po ashtu, e ftoj shumicën parlamentare të jetë në lartësinë e përgjegjësisë së vet dhe ajo që është e mirë për qytetarët të mbështetet”, tha Spasovski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër