Shkup, 20 nëntor Zhurnal.mk – Imagjinoni dy kompani softuerike, njëra nga Shkupi dhe tjetra nga Berlini. Të dyja zhvillojnë një aplikacion të ngjashëm, e shesin me të njëjtin çmim dhe përpiqen të tërheqin përdorues nga e gjithë bota. Por, kur vjen momenti për të arkëtuar pagesat për produktet e tyre, shfaqen dallimet. Kompania gjermane ka qasje në më shumë shërbime globale të pagesave, ndërsa kompania maqedonase duhet të kërkojë alternativa, të cilat shpesh kanë tarifa më të larta dhe kushte shtesë.
Ky problem rikthehet në vëmendje pas njoftimit se „Lemon Squeezy“, njëra nga platformat e përdorura nga kompanitë maqedonase të softuerit, do të ndërpresë aktivitetin. Nga 16 nëntori, platforma nuk pranon më përdorues të rinj, ndërsa më 31 mars 2027 do të ndalojë plotësisht përpunimin e pagesave. Për sipërmarrësit vendas që përmes saj kanë shitur softuerë, aplikacione dhe abonime digjitale, kjo do të thotë se duhet të gjejnë një mënyrë të re për të arkëtuar pagesat nga jashtë vendit.
Problemi qëndron në faktin se Maqedonia ende nuk është në listën e vendeve të mbështetura nga disa prej platformave më të mëdha botërore të pagesave. Për shembull, kompanitë në Gjermani mund ta përdorin drejtpërdrejt shërbimin „Stripe“, ndërsa kompanitë e regjistruara në Maqedoni nuk e kanë këtë mundësi. Madje, edhe shërbimi i ri „Stripe Managed Payments“, drejt të cilit po orientohen përdoruesit e „Lemon Squeezy“, për momentin nuk është i disponueshëm për kompanitë vendase.
Dallimet bëhen edhe më të dukshme kur krahasohen tarifat e shërbimeve. Një kompani gjermane që përdor „Stripe“ paguan një tarifë standarde prej 1,5 për qind plus 25 eurocentë për përpunimin e pagesave me kartela të lëshuara në Zonën Ekonomike Evropiane. Një nga alternativat për kompanitë maqedonase të softuerit është „Paddle“, ku tarifa standarde është 5 për qind plus 50 centë amerikanë.
Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Nëse një aplikacion kushton 20 euro, kompania gjermane do të paguante 55 eurocentë për përpunimin e një pagese me kartelë standarde evropiane. Ndërsa te „Paddle“, për një shitje prej 20 eurosh, tarifa do të ishte një euro plus 50 centë amerikanë. Kur bëhet fjalë për qindra apo mijëra blerës në muaj, këto dallime shndërrohen në shpenzime të konsiderueshme për kompanitë.
Alternativa të tjera ofrojnë edhe platforma si „FastSpring“, ndërsa kompanitë vendase mund të përdorin edhe zgjidhjet bankare për pagesa elektronike. Megjithatë, për një kompani të vogël fillestare që dëshiron të shesë abonime mujore prej disa eurosh te klientët në Evropë, Amerikë dhe Azi, zgjedhja është më e ndërlikuar. Ajo ka nevojë për pagesa automatike mujore, mbështetje për valuta të ndryshme dhe një sistem që funksionon pa procedura shtesë administrative për secilin blerës.
Një shqetësim shtesë për kompanitë që tashmë përdorin „Lemon Squeezy“ është transferimi i abonentëve ekzistues në platformën e re. Ndryshimi i shërbimit të pagesave nënkupton transferimin e të dhënave, përshtatjen e sistemit dhe, në raste të caktuara, miratimin e sërishëm të pagesës nga ana e përdoruesit. Sipas vetë platformës, procesi i plotë i migrimit mund të zgjasë nga katër deri në tetë javë, çka do të thotë se kompanitë duhet të përgatiten me kohë për këtë ndryshim.
Kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Maqedoni po shënon rritje. Sipas të dhënave të MASIT-it, në vitin 2025 sektori realizoi të hyra prej 1,77 miliardë eurosh, ndërsa eksporti arriti në 676 milionë euro. Gjithnjë e më shumë kompani vendase kanë potencialin për të zhvilluar produkte të tyre digjitale dhe për t’i shitur ato në tregun global.
Për sipërmarrësit maqedonas të IT-së, qasja në shërbimet ndërkombëtare të pagesave mbetet një faktor i rëndësishëm për konkurrueshmërinë. Një aplikacion i zhvilluar në Shkup mund të shitet në të njëjtat tregje si një aplikacion i krijuar në Berlin, por kompania nga Maqedonia ka më pak mundësi kur bëhet fjalë për organizimin e arkëtimit të pagesave.
Për një kompani të re që sapo përpiqet të fitojë nga produkti i saj, kjo nënkupton shpenzime shtesë, më shumë angazhim organizativ dhe një fillim më të ndërlikuar në tregun ndërkombëtar.

