Qafë Thanë, 22 nëntor Zhurnal.mk – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Maqedonia është shtet i pavarur dhe sovran dhe se Shqipëria nuk do të ndërhyjë në punët e saj të brendshme. Ai iu përgjigj kështu një pyetjeje të gazetarëve lidhur me rastet gjyqësore që kontestohen nga një pjesë e shqiptarëve, përfshirë edhe rastin “Monstra”.
Rama tha se çështjet që lidhen me procedurat gjyqësore dhe të drejtat e shqiptarëve duhet të zgjidhen përmes institucioneve të Maqedonisë dhe përfaqësuesve politikë të komunitetit shqiptar.
“Para së gjithash, Maqedonia është shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa shqiptarët janë popull shtetformues. Ekzistojnë udhëzime juridike të cilat ju duhet t’i ndiqni me kujdes. Prandaj, nuk mendoj se ndonjë ndërhyrje nga vendet vëllazërore duhet të përzihet në punët e brendshme të një shteti tjetër”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se partitë politike shqiptare në vend kanë përgjegjësi që të ngrenë çështjet që prekin qytetarët.
“Çështjet për të cilat po flisni duhet t’i trajtojnë institucionet në Maqedoni. Shqiptarët kanë parti politike, madje më shumë sesa duhet, të cilat duhet t’i përcjellin të gjitha këto çështje”, tha kryeministri shqiptar.
Pyetja kishte të bënte edhe me rastin “Monstra”, për vrasjen e pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës në prill të vitit 2012, për të cilën u dënuan pesë persona. Procesi për vite me radhë ka nxitur protesta dhe kundërshtime nga ana e mbrojtjes, e cila pretendonte se aktakuza ishte e bazuar në prova të pamjaftueshme dhe se bëhej fjalë për një proces të montuar.
Në rigjykimin e rastit u shqiptuan tri dënime me burgim të përjetshëm, si dhe dënime prej 15 dhe nëntë vjetësh burg. Në shtator të vitit 2023, Gjykata Supreme i hodhi poshtë ankesat e tre të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe konfirmoi vendimin e Gjykatës së Apelit. Avokatët e të dënuarve në vitin 2024 paraqitën ankesa në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Rama refuzoi të komentojë rastet konkrete gjyqësore, duke thënë se nuk dëshiron të marrë rolin e arbitrit politik në Maqedoni.
“Ju as nuk më keni parë dhe as nuk do të më shihni duke zhvilluar fushatë në Maqedoni për ndonjë parti politike. Të gjithë politikanët shqiptarë janë të mirëpritur të komunikojnë me ne, por ekziston një kufi. Dhe ai nuk do të kalohet për të ndërhyrë në punët e brendshme të shtetit. Këtë kufi nuk duhet ta kalojmë”, deklaroi Rama.
Duke folur për marrëdhëniet me liderët politikë në Maqedoni, ai tha se nuk sheh asgjë të diskutueshme në kontaktet miqësore si me politikanët maqedonas, ashtu edhe me ata shqiptarë.
“Nuk besoj se duhet të jetë e çuditshme që unë jam mik me Ahmetin, Mickoskin dhe kam edhe miq të tjerë, për të cilët ju mendoni se nuk janë miqtë e mi ose nuk i njihni. Nuk besoj se duhet të jem mik vetëm me Mickoskin ose vetëm me shqiptarët. Për mua, kjo është ide skandaloze si koncept, e jo më të shtrohet si pyetje”, tha Rama.
Në fund, ai iu përgjigj edhe gazetarit që parashtroi pyetjen, duke theksuar se prania e tij në aktivitet dhe mundësia për të parashtruar lirisht pyetje janë tregues të një klime demokratike.
“Edhe fakti që ti protestove, bërtite me zë të lartë, kërkove mikrofonin, ndërsa ne me buzëqeshje iu përgjigjëm pyetjeve tuaja dhe askush nuk të largoi prej aty, tregon se jeton në një shtet demokratik”, tha Rama.
Ai shtoi se gazetari nuk do të ketë probleme për shkak të pyetjes së parashtruar, duke vlerësuar se “problemi i tij është në kokën e vet dhe jo në shtetin e tij, Republikën e Maqedonisë”.

