Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Nuk nevojiten premtime të reja deklarative dhe subvencione që vetëm i fryjnë çmimet e metrit katror, sepse ligji tashmë parashikon tatim tre herë më të lartë për banesat private të zbrazëta dhe tatim pesë herë më të lartë për objektet shtetërore dhe komunale të padeklaruara dhe të pashfrytëzuara, reagojnë nga partia DOM.
Norma ligjore prej 0,30% dhe 0,50% që me vite qëndrojnë të vdekura në letër
Në vazhdim të reagimit për masat e paralajmëruara qeveritare për strehimin, nga DOM theksojnë se Maqedonia tashmë ka mekanizëm ligjor për tatimin e banesave të zbrazëta, por ai prej vitesh nuk zbatohet në praktikë. Sipas Ligjit për tatimet mbi pronën, ndërsa qytetarët për banesën në të cilën jetojnë paguajnë normë efektive tatimore prej 0,05 për qind, për çdo banesë që qëndron e zbrazët dhe nuk jepet me qira më gjatë se gjashtë muaj gjatë vitit vlen tatim trefish më i lartë prej 0,30 për qind.
Nëse pronari nuk e deklaron se banesa nuk përdoret, ligji parashikon një shumëzues ndëshkues prej tatimit pesë herë më të lartë (0,50 për qind), ndërsa e njëjta normë pesëfish vlen edhe për të gjitha objektet shtetërore dhe komunale të pashfrytëzuara. Megjithatë, nga partia theksojnë se në praktikë pothuajse askush nuk e paguan këtë tatim, sepse komunat dhe pushteti qendror nuk i kryqëzojnë të dhënat nga regjistrat për vendbanimin e paraqitur dhe kontratat e qirasë me konsumin e energjisë elektrike dhe ujit, ndryshe nga vendet e rajonit si Kroacia, e cila në vitin 2026 vendosi tatim të detyrueshëm me kryqëzim digjital të bazave të të dhënave.
Pesë masa konkrete të DOM-it për aktivizimin e shtëpive të zbrazëta
Për këtë arsye, nga DOM kërkojnë zbatim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm të rregullativës ekzistuese ligjore përmes pesë masave:
Kryqëzim digjital i të dhënave: Komunat dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike menjëherë t’i kryqëzojnë të dhënat për vendbanimin e paraqitur dhe kontratat zyrtare të qirasë me konsumin e rrymës dhe ujit.
Arkëtim i qëndrueshëm i tatimit ligjor: Zbatim i plotë i normës tatimore trefishe dhe pesëfishe për banesat afatgjata të zbrazëta, në vend të tolerimit të mbajtjes së tyre jashtë tregut.
Destinim i mjeteve për strehimin e të rinjve: Të gjitha të ardhurat e mbledhura nga tatimi më i lartë të drejtohen drejtpërdrejt në Fondin për strehim të përballueshëm dhe për subvencionimin e qirave për të rinjtë dhe çiftet e reja bashkëshortore.
Regjistrim dhe aktivizim i pronës shtetërore dhe komunale: Publikim i të gjitha banesave dhe objekteve të zbrazëta shtetërore dhe komunale që i nënshtrohen tatimit pesëfish dhe vënia e tyre urgjente në funksion për qira të favorshme.
Lirim nga tatimi për qira afatgjata për të rinjtë: Çdo pronar që banesën e tij të zbrazët do ta japë me qira për të rinj me kontratë të regjistruar prej të paktën 10 deri në 12 muaj me çmim të përballueshëm dhe të rregulluar, të lirohet plotësisht nga tatimi i rritur.
“Shqetësimi i shtetit për të rinjtë nuk mund të shtiret përmes subvencioneve që përfundojnë te investitorët ndërtimorë, ndërsa në të njëjtën kohë tolerohen banesat e zbrazëta dhe ligjet e veta mbahen në sirtar. Zgjidhja e krizës së strehimit nuk është betonizimi i çdo parcele të lirë, por një politikë e drejtë tatimore që do t’i hapë dyert e mijëra shtëpive të zbrazëta”, thuhet në kumtesën e DOM-it.
