Shkup, 24 nëntor Zhurnal.mk – Shtetasit e huaj nga kontinenti aziatik, të cilët vijnë në Maqedoni për të punuar, përbëjnë grupin më të madh në strukturën e personave që janë vendosur në vend gjatë tri viteve të fundit. Këtë e tregojnë të dhënat statistikore, të cilat dëshmojnë për një rritje të konsiderueshme gjatë dy viteve të fundit.
Nëse në vitin 2023 në vend janë vendosur 4.961 persona, në vitin 2024 ky numër është rritur në 9.098, ndërsa vitin e kaluar ka arritur në 9.214 persona. Kjo do të thotë se gjithsej 23.273 persona janë vendosur në vend gjatë tri viteve të fundit.
Kjo rritje i atribuohet kryesisht ardhjes së shtetasve të huaj për t’u punësuar në sektorë të ndryshëm ekonomikë. Biznesmenët maqedonas kanë gjithnjë e më shumë nevojë për punëtorë të huaj, për shkak të largimit të kuadrove të reja nga vendi drejt shteteve të tjera.
Duket se viti 2023 ishte pikë kthese për intensifikimin e ardhjes së shtetasve të huaj në vend. Në atë vit ishte regjistruar për herë të fundit një numër relativisht i vogël i të ardhurve, rreth pesë mijë shtetas të huaj. Në mesin e tyre dominonin shtetasit me pasaporta turke, me të cilat në vend kishin ardhur 3.082 persona.
Ndërkaq, nga vendet aziatike atë vit kishin ardhur vetëm 150 persona. Prej tyre, vetëm 12 ishin nga India dhe shtatë nga Nepali.
Megjithatë, që vitin pasues të dhënat për praninë e tyre në Maqedoni ndryshuan ndjeshëm. Kështu, nga rreth nëntë mijë shtetasit e huaj që u vendosën në vend, plot 6.226 kishin ardhur nga Azia. Numri më i madh ishte nga Turqia – 5.063 persona, pasuar nga India – 266, Nepali – 266 dhe Bangladeshi – 261 punëtorë.
Ndërkaq, vitin e kaluar, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, shifrat filluan të ndryshojnë edhe më dukshëm. Kjo për shkak se u zvogëlua numri i punëtorëve që vinin nga Turqia, duke rënë në 4.059 persona, ndërsa u rrit ardhja nga vendet e tjera aziatike.
Gjatë kësaj periudhe, nga Azia erdhën gjithsej 6.132 punëtorë. Numri më i madh ishte nga India – 805 persona, pasuar nga Bangladeshi – 552, Nepali – 430 dhe Filipinet – 60.
Megjithatë, nga paralajmërimet e deritanishme është e qartë se në vitet e ardhshme numri i shtetasve të huaj që do të vijnë në Maqedoni do të vazhdojë të rritet.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, së fundmi deklaroi se vendi në përgjithësi ka problem me sigurimin e fuqisë punëtore dhe se është e mirëseardhur vendimi i Qeverisë për rritjen e kuotës vjetore të punëtorëve të huaj nga 10 mijë në 13 mijë. Sipas tij, vitin e ardhshëm kjo kuotë duhet të rritet edhe më shumë, duke arritur në 20 mijë punëtorë.
Numri i përgjithshëm i punëtorëve të huaj me leje qëndrimi vitin e kaluar ishte 6.128, që është tre herë e gjysmë më shumë krahasuar me pesë vjet më parë, kur leje kishin marrë 1.704 persona. Interesimi më i madh për punësimin e të huajve është në ndërtimtari, industri, hoteleri dhe tregti.
Biznesmenët maqedonas ankohen se procedura për angazhimin e punëtorëve të huaj në Maqedoni është e gjatë dhe mesatarisht zgjat nga tre deri në pesë muaj. Pengesat kryesore janë mungesa e inspektorëve, pritja e gjatë për viza dhe dokumentacioni voluminoz.
Punëdhënësit kërkojnë thjeshtimin e procedurave, ndërsa institucionet kompetente paralajmërojnë përshpejtimin dhe digjitalizimin e procesit. Ky është veçanërisht një problem i madh për kompanitë që angazhojnë punëtorë për aktivitete sezonale ose që kanë afate të përcaktuara paraprakisht për prodhimin.
