Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në kuadër të vizitës zyrtare në Kroaci, është takuar në Zagreb me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq.
Në fokus të takimit ishin integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut, thellimi i bashkëpunimit dypalësh dhe forcimi i partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.
Gashi informoi se marrëveshja për bashkëpunim strategjik ndërmjet dy qeverive pritet të ratifikohet në seancën parlamentare të 1 dhjetorit.
Marrëveshja parasheh zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, energjetikë, transport, digjitalizim, shëndetësi, arsim dhe siguri.
Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë në rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut, duke nënvizuar rëndësinë e përvojës kroate në procesin e integrimit në BE dhe zbatimin e reformave institucionale.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, si dhe përkushtimi i përbashkët për të ardhmen evropiane të rajonit.
