Haxhiu diskuton me deputete dhe asambleiste për të drejtat dhe sigurinë e grave

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 25 nëntor Zhurnal.mk – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një diskutim me deputete, asambleiste dhe përfaqësuese të organizatave joqeveritare, në kuadër të hapjes së fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Haxhiu ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për përgjegjësitë e institucioneve në nivel qendror dhe lokal për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e të drejtave të grave.

Ajo ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së asambleisteve në këto diskutime, duke vënë në pah përgjegjësitë e komunave në ofrimin e shërbimeve sociale, sigurinë në hapësirat publike dhe mbështetjen për gratë që përjetojnë dhunë.

Haxhiu ka njoftuar gjithashtu se në Kuvend ka nisur hartimi i Agjendës Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030, përmes konsultimeve me organizatat e grave në shtatë rajonet e Kosovës.

Në takim është diskutuar edhe për përvojat e grave në politikë, gjuhën seksiste dhe nevojën për ndryshimin e kulturës së debatit në Kuvendin e Kosovës dhe kuvendet komunale.

artikuj të ndërlidhura