Kostadinovska Stojçevska: Çfarë do të ndodhë me kursimet mbi 30.000 euro nëse falimenton “Alta Banka”

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – Deputetja e LSDM-së, Bisera Kostadinovska Stojçevska, në seancën e sotme mbikëqyrëse për Alta Bankën, pyeti nëse Alta Banka Bitolë disponon me 80 milionë euro në para të gatshme dhe ekuivalentë monetarë, siç është paraqitur në bilanc, dhe çfarë do të ndodhë me kursimet mbi 30.000 euro nëse vjen deri te dëmshpërblimi.

Kostadinovska Stojçevska theksoi se, sipas arsyetimit financiar të publikuar në Bursë më 30 tetor, banka në nëntë muajt e parë të këtij viti ka raportuar humbje prej 48,64 milionë denarësh, pas një fitimi prej 49,15 milionë denarësh në të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Më 30 shtator, banka kishte paraqitur 8,91 miliardë denarë depozita të klientëve, ndërsa aktivat likuide përbënin 43,91 për qind të aktiveve të përgjithshme.

Deputetja nënvizoi se këto të dhëna pasqyrojnë gjendjen më 30 shtator, para heqjes së licencës së bankës amë në Serbi. Ajo pyeti nëse është verifikuar që banka në Bitolë edhe sot disponon me 80 milionë eurot e paraqitura në para të gatshme dhe ekuivalentë monetarë.

Drejtuar Fondit për Sigurimin e Depozitave, Kostadinovska Stojçevska shtroi pyetjen nëse dallimi eventual ndërmjet bilancit dhe gjendjes faktike do të reflektohej në dëmshpërblimin e kursimtarëve. Ajo kërkoi përgjigje edhe për atë se kush do ta paguante dëmshpërblimin, nga cilat mjete dhe si kursimtarët do të mund ta kërkonin pjesën e kursimeve të tyre mbi 30.000 euro.

artikuj të ndërlidhura