Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – Dragana Bojkovska, deputete nga radhët e VMRO-DPMNE-së, në seancën e sotme të Komisionit për Financim dhe Buxhet, në kuadër të së cilës u mbajt vazhdimi i debatit mbikëqyrës me temë: “Arsyet për vendosjen e administrimit të përkohshëm në ALTA Banka AD Manastir, roli dhe veprimi i Bankës Popullore dhe përgjegjësia institucionale”, i parashtroi pyetje drejtorit të Fondit për Sigurimin e Depozitave, Behar Emini.
“Me vendosjen e administrimit të përkohshëm në ALTA Banka AD Manastir, a ka ndodhur një ngjarje rreziku në kuptim të Ligjit për Fondin e Sigurimit të Depozitave? Dhe me çfarë shume mjetesh disponon Fondi deri në ditën e sotme, sa është shuma e përgjithshme e depozitave të siguruara në ALTA Bankë dhe a disponon Fondi me mjete të mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve të tij ligjore në një skenar eventual të pafavorshëm?”, pyeti Bojkovska, duke sqaruar se këtë pyetje e parashtron me qëllim që të kuptohet se sa do të ishte barra mbi Fondin në rast të një skenari të pafavorshëm, për shkak të spekulimeve lidhur me situatën përkatëse që, sipas saj, po i përhap opozita.
Pyetja shtesë që Bojkovska ia drejtoi Eminit ishte në drejtim të bërjes së një krahasimi ndërmjet, siç tha ajo, dy situatave të ndryshme në sistemin bankar, në periudha të ndryshme kohore në Maqedoni, përkatësisht falimentimit të Eurostandard Bankës dhe emërimit të administrimit të përkohshëm në Alta Bankë.
“Sa mjete pagoi Fondi për dëmshpërblimin e depozituesve pas heqjes së licencës për punë të Eurostandard Bankës në vitin 2020 dhe cili është dallimi thelbësor ndërmjet gjendjes së atëhershme dhe gjendjes aktuale me ALTA Bankën, nga aspekti i detyrimeve ligjore të Fondit?”, pyeti Bojkovska.
Deputetja Bojkovska shtoi se në vitin 2020, Banka Popullore e RMV-së kishte marrë vendim për heqjen e licencës së punës së Eurostandard Bankës, pa vendosje paraprake të administrimit, pas së cilës ishte aktivizuar mekanizmi ligjor për dëmshpërblimin e depozitave të siguruara. Ajo pyeti sa qytetarë ishin dëmshpërblyer nga Fondi dhe sa kishte qenë shuma e përgjithshme e pagesave në rastin e Eurostandard Bankës. Bojkovska gjithashtu kërkoi konfirmim nga Emini se gjendja e sotme me Alta Bankën dhe emërimi i administrimit të përkohshëm nuk paraqesin bazë ligjore për pagesën e depozitave të siguruara.
“Në gusht të vitit 2020, Banka Popullore solli vendim për heqjen e licencës për punën e Eurostandard Banka AD Shkup, pa vendosje paraprake të administrimit, për çka sot në Kuvend dëgjuam edhe pyetjen legjitime pse e njëjta nuk ishte ndërmarrë dhe zbatuar me kohë në përputhje me kompetencat ligjore të Bankës Popullore. Ky ishte një rast konkret në të cilin banka humbi licencën e punës dhe u aktivizuan mekanizmat ligjorë për dëmshpërblimin e depozitave të siguruara”, tha Bojkovska dhe pyeti:
“Cila është shuma e përgjithshme që deri më tani ka paguar Fondi për Eurostandard Bankën, sa qytetarë janë dëmshpërblyer dhe a mund t’ua konfirmoni qytetarëve se administrimi i përkohshëm i sotëm në Alta Banka Manastir, në vetvete, nuk përbën bazë ligjore për pagesën e depozitave të siguruara?”
