Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – Mile Lefkov, deputet nga radhët e VMRO-DPMNE-së, në vazhdimin e sotëm të debatit mbikëqyrës lidhur me Alta Bankën, deklaroi se është e rëndësishme të sqarohen rrethanat që lidhen me këtë bankë.
“Praktikisht është shumë e rëndësishme që në vazhdimin e sotëm të debatit mbikëqyrës t’i sqarojmë rrethanat që lidhen me Alta Banka AD Manastir. Dy aspekte pashë sot nga ajo që u diskutua. Njëri është aspekti ligjor. Veprimi juaj sipas ligjeve dhe ndarja e kompetencave ndërmjet komisionit tuaj dhe Bankës Popullore. Aspekti i dytë është ai njerëzor, që ka të bëjë me spekulimet për mendime të ndara dhe mospajtime brenda komisionit. Mendoj se e sqaruam çështjen e mendimeve të ndara dhe mospajtimeve, megjithatë në interes të opinionit publik, sepse edhe ju e përmendët, ndërsa edhe në seancën e 10 shtatorit 2025 veproni sipas Ligjit për Marrjen e Shoqërive Aksionare”, tha Lefkov.
Lefkov i parashtroi pyetje Bujare Abazit, drejtoreshë e Komisionit për Mbikëqyrjen e Tregut të Kapitalit, nëse në kontrollet e deritanishme janë konstatuar parregullsi të mundshme, përkatësisht nëse që nga momenti i paraqitjes së kërkesës për marrje në shtator të vitit 2025, Komisioni për Letra me Vlerë ose Komisioni për Mbikëqyrjen e Tregut të Kapitalit kanë konstatuar shkelje të ligjit, manipulime në treg apo parregullsi të tjera lidhur me, siç tha ai, marrjen e shoqërive aksionare.
“Pyetje konkrete për opinionin publik. A janë konstatuar në kontrollet e deritanishme nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Tregut të Kapitalit ose në kuadër të zhvillimeve aktuale parregullsi të mundshme? Përkatësisht, a ka konstatuar Komisioni për Letra me Vlerë ose Komisioni për Mbikëqyrjen e Tregut të Kapitalit, nga momenti i paraqitjes së kërkesës për marrje në shtator të vitit 2025 e deri më sot, çfarëdo shkeljeje të Ligjit për Marrjen e Shoqërive Aksionare, manipulime në treg, keqpërdorim të informatave të brendshme apo parregullsi të tjera që lidhen me Alta Bankën dhe, nëse ka të tilla, a janë njoftuar për to organet kompetente hetimore?”, pyeti Lefkov.
