Tiranë, 25 nëntor Zhurnal.mk – Pavarësisht reshjeve të shiut dhe kushteve të këqija atmosferike, qytetarët kanë vijuar edhe këtë mbrëmje protestën kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Pasi u mblodhën fillimisht përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar qëndresën në ditën e 179-të të saj.
As reshjet e shiut nuk i kanë penguar qytetarët të dalin në rrugët e Tiranës, duke ritheksuar kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e qeverisë.
Marshimi i kësaj mbrëmjeje zhvillohet vetëm tri ditë përpara protestës mbarëkombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë thirrjet për mobilizim sa më të gjerë të qytetarëve nga i gjithë vendi.
Pas afro gjashtë muajsh protestash të përditshme, të rinjtë, studentët dhe qytetarët shprehen të vendosur për të vijuar qëndresën.
Protestuesit e konsiderojnë 28 nëntorin një moment të rëndësishëm për zgjerimin e lëvizjes qytetare në shkallë kombëtare, ndërsa paralajmërojnë se protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
