Tiranë, 25 nëntor Zhurnal.mk – Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka komentuar mundësinë e përfshirjes së saj në drejtimin e një qeverie tranzitore, pas zërave dhe propozimeve që e kanë përmendur si një prej emrave të mundshëm.
Koçeku u shpreh se marrja e posteve të caktuara politike nuk ka qenë asnjëherë synimi i saj që prej hyrjes në politikë, por një rrugëtim i shëndetshëm politik, i cili nuk përcaktohet domosdoshmërisht nga pozicionet që mund të mbajë.
Deputetja tha se e vlerëson mbështetjen dhe vlerësimin e qytetarëve, të cilët herë pas here e kanë përmendur, por theksoi se vëmendjen e saj e ka te zhvillimet dhe protestat në sheshet e Tiranës.
“Pozicionet e caktuara nuk kanë qenë asnjëherë qëllimi im që kur i kam hyrë politikës. Për mua është e rëndësishme të kem një rrugëtim të shëndetshëm. Kjo nuk përcaktohet domosdoshmërisht përmes pozitave të caktuara politike.
I vlerësoj dhe është një vlerësim i madh edhe nga ana e qytetarëve që herë pas here e artikulojnë këtë. E marr si një vlerësim të jashtëzakonshëm. I rëndësishëm është rrugëtimi dhe ajo që ndodh në sheshet e Tiranës. Unë aty e kam vëmendjen më shumë”, u shpreh Marjana Koçeku në News24.
