Tiranë, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama ka nisur sot pritjen e të ftuarve në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Growth Plan), që po zhvillohet në Pallatin e Brigadave në Tiranë, me temë “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”.
Ndër të ftuarit e parë të pritur nga kryeministri Rama ishte Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Sipas agjendës, mbërritja e liderëve është parashikuar në orën 10:00, ndërsa në orën 10:30 do të mbahen fjalët hyrëse nga kryeministri Rama dhe komisionerja Kos. Në këtë fazë është parashikuar edhe prononcimi i liderëve për mediet në mbërritje.
Në orën 12:15 do të realizohet fotografia e përbashkët e liderëve, ndërsa në orën 12:30 Rama dhe Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Diskutimet e samitit pritet të përqendrohen në përshpejtimin e reformave, zbatimin e Planit të Rritjes, prioritetet e reja strategjike dhe integrimin ekonomik të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Takimi synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të avancojë procesin e integrimit evropian përmes reformave dhe mundësive të reja të zhvillimit ekonomik.
