Spahiu: Rishikojmë ligjin dhe digjitalizojmë shërbimin e urgjencës, rritje pagash për mjekët roje në 2027

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu bëri me dije se ka nisur puna për rishikimin e ligjit që rregullon organizimin e urgjencës, me synimin për ta bërë shërbimin më efikas dhe të unifikuar.

Gjatë një vizite në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Spahiu theksoi se krahas ndryshimeve ligjore, po punohet për krijimin e një sistemi të digjitalizuar për të gjithë shërbimin e urgjencës, me qëllim përmirësimin e koordinimit dhe të përgjigjes ndaj rasteve emergjente.

Një tjetër drejtim i ndërhyrjeve lidhet me shtimin e kapaciteteve logjistike, përmes blerjes së autoambulancave të reja, si dhe përmirësimit të pajisjeve dhe ekipeve që përballen drejtpërdrejt me urgjencat në terren.

“Jemi përpjekur çdo vit që të shtojmë numrin dhe të kemi një buxhet të caktuar për autoambulanca të reja, por e njëjta gjë duhet bërë edhe me ekipet, duhet bërë edhe me pajisjet, pra me çdo gjë që ju e keni të domosdoshme kur shkoni në terren dhe përballeni me një urgjencë që mund të jetë e kategorive të ndryshme”, u shpreh Spahiu.

Në kuadër të projektbuxhetit 2027, ministrja Spahiu bëri të ditur se do të rriten pagesat për mjekët roje të urgjencës, duke vlerësuar përgjegjësinë dhe angazhimin e tyre në vijën e parë të kujdesit shëndetësor.

Spahiu vlerësoi punën e personelit të urgjencës, duke theksuar se ky shërbim kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe përmirësim të organizimit.

“Janë shumë vite punë, shumë vite sakrificë, organizim, qasje tjetër e urgjencës, por jam e bindur që asnjëherë, sidomos në këtë sektor, nuk mund të themi se ia arritëm dhe nuk kemi nevojë për asgjë”, tha ajo.

Spahiu falënderoi punonjësit për përkushtimin dhe përballimin e ngarkesës në situata të vështira, ndërsa paralajmëroi shtim të angazhimit në periudhën në vijim, për shkak të sezonit të gripit.

artikuj të ndërlidhura