Prof. Dr. Ali Pajaziti, fitues i Çmimit Shtetëror „Shën Klimenti i Ohrit” për vitin 2026

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Prof. Dr. Ali Pajaziti, profesor në Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore të Universitetit të Evropës Juglindore është njëri nga fituesit e Çmimit Shtetëror „Shën Klimenti i Ohrit” për vitin 2026, në fushën e edukimit dhe arsimit.

Vendimi për ndarjen e këtij çmimi u bë i ditur më 26 nëntor nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të vendimit të Këshillit për ndarjen e Çmimit Shtetëror „Shën Klimenti i Ohrit”.

Çmimi Shtetëror „Shën Klimenti i Ohrit” përfaqëson mirënjohjen më të lartë shtetërore për arritjet shumëvjeçare në fushën e edukimit, arsimit, kulturës, artit, shëndetësisë, mbrojtjes dhe përmirësimit të mjedisit jetësor, si dhe në veprimtaritë sociale me interes publik.

Prof. Dr. Ali Pajaziti është një emër i njohur në fushën e sociologjisë, me një veprimtari të gjatë akademike, shkencore dhe publicistike. Kontributi i tij përfshin studime në sociologji, antropologji, religjion, etikë, identitet dhe transformime shoqërore, si dhe një numër të konsiderueshëm botimesh dhe punimesh shkencore.

Në vitin 2022, sipas raportit të AD Scientific Index, Prof. Dr. Pajaziti ishte ndër studiuesit e renditur më lart në Maqedoninë e Veriut në fushën e sociologjisë, me 320 citime shkencore.

Universiteti i Evropës Juglindore e përgëzon Prof. Dr. Ali Pajazitin për këtë vlerësim të lartë shtetëror, duke i uruar suksese të mëtejshme në veprimtarinë e tij akademike dhe shkencore.

artikuj të ndërlidhura