Tetovë, 28 nëntor Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka uruar shqiptarët kudo që ndodhen me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Në një mesazh urimi, Kasami ka kujtuar sakrificat e brezave që kontribuuan për lirinë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, flamurit dhe identitetit kombëtar shqiptar.
“Ka data që nuk shkruhen vetëm në histori, por jetojnë përgjithmonë në zemrën e një kombi. I tillë është 28 Nëntori ynë!”, ka shkruar Kasami.
Ai ka theksuar se kjo ditë është një moment për të nderuar të kaluarën, por edhe për të marrë përgjegjësi për të ardhmen.
“Sot përulemi me respekt para brezave që sakrifikuan për lirinë, ndërsa me krenari e përgjegjësi vazhdojmë rrugën e tyre, për t’u lënë fëmijëve tanë një të ardhme më të ndritur”, thuhet në urimin e tij.
Kasami ka përcjellë gjithashtu mesazhin e bashkimit kombëtar, pavarësisht kufijve shtetërorë që ndajnë shqiptarët.
“Na bashkoftë gjithmonë dashuria për gjuhën, flamurin dhe kombin tonë, pavarësisht kufijve që na ndajnë”, ka përfunduar ai, duke uruar: “Gëzuar 28 Nëntorin!”.
