Dhuna midis moshatarëve, policia e Kumanovës ka regjistruar 63 raste

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Kumanovë, 28 nëntor Zhurnal.mk – Të mitur me maska dhe shkopinj druri lëviznin nëpër Kumanovë. Rasti u raportua dhe policia i gjeti të miturit, i intervistoi dhe i konfiskoi sendet. Ky është një nga informacionet që konfirmon se dhuna midis bashkëmoshatarëve është ende një sfidë për institucionet. Policia e Kumanovës ka regjistruar 63 raste të tilla këtë vit. Shumica e tyre, 38, ndodhën në rrugë, tetë në shkollë dhe pjesa tjetër në oborret e shkollave, fushat sportive, parqet dhe qendrat tregtare. Më shpesh, raportet kanë të bëjnë me konfrontime fizike dhe ngacmime psikologjike midis bashkëmoshatarëve.

“Në rast të një raportimi për dhunë midis të miturve, oficerët e policisë veprojnë, njoftojnë prindërit dhe të gjitha institucionet kompetente për të marrë masa të mëtejshme.”, thonë nga Departamenti i Policisë së Kumanovës.

Njohja e dhunës, reagimi në kohë dhe inkurajimi i dialogut në shkolla, sipas ekspertëve, janë çelësi për kapërcimin e këtij problemi. Shoqata “Doverba” punon me nxënës të shkollave fillore dhe të mesme për të krijuar një mjedis të sigurt dhe gjithëpërfshirës. “Shkolla me zë, shkolla pa frikë” është qëllimi i tyre, prandaj ata formuan klube ndërmjetësimi.

“Nxënësit kanë një rol të rëndësishëm, por edhe prindërit, prandaj patëm edhe trajnime me ta për njohjen e shenjave të dhunës, mënyrat e komunikimit. Nëse nuk dinë çfarë të bëjnë, duhet t’i drejtohen një të rrituri, por në asnjë rast nuk duhet t’u bashkohen atyre që ushtrojnë dhunë, jo vetëm fizikisht, por edhe me tallje, nënçmim, përjashtim, thashetheme dhe çdo lloj presioni psikologjik.”, u shpreh psikologja nga Shoqata “Doverba” – Kumanovë, Divna Jankova.

Përgjegjësia për parandalimin e dhunës nga bashkëmoshatarët, thonë psikologët, është e ndarë – e nxënësve, mësuesve, prindërve, por edhe e shoqërisë.

artikuj të ndërlidhura