Gostivar, 29 nëntor Zhurnal.mk – 52-vjeçarit nga fshati Toplicë, i cili dhunoi brutalisht bashkëshorten e tij 42 vjeçare, i është caktuar masë e paraburgimit prej 30 ditësh në burgun e Shutkës. Prokuroria e Gostivarit hapi hetim për tentativë vrasjeje. I dyshuari M.M 52 vjeçar pas kryerjes së veprës penale fillimisht u vendos në spitalin psikiatrik në Shkup, pasi sipas policisë ai vuante nga probleme të shëndetit mendor
Gruaja 42 vjeçare pas lëndimeve të mëdha trupore akoma vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike në Shkup. Pas ndërhyrjeve të shumta në kujdesin intenziv, gjendja e saj momentale është e qëndrueshme. Ajo është në vetëdije dhe është transferuar në repart pas qëndrimit në kujdes intenziv.
42-vjeçarja është dhunuar për dy ditë me radhë nga bashkëshorti i saj, i cili e kishte dhunuar edhe me një mjet të mprehtë. Rastin e ka raportuar në polici babai i dhunuesit. Gruaja është transferuar me ndihmën e shpejtë në Qendrën Urgjente pasi ajo kishte humbur ndjenjat. Sipas mjekëve lëndimet e saj trupore ishin tepër të rënda, ku ajo kishte pësuar gjakderdhje në kokë, lëndime në kraharor-mushkëri, 4 brinjë të thyer dhe dëmtime me fytyrë dhe sy.
