A ka të drejtë Parlamenti të refuzojë arrestimin e Ballukut?

Nga Xh M
1,305 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Nga Ergys Mërtiri

Vendimi për mosdorëzimin e Ballukut është një shkelje e rëndë e parimeve kushtetuese dhe një ndërhyrje në punët e pushtetit gjyqësor me të vetmin qëllim, pengimin e hetimeve. Pretendimi i Ramës se Parlamenti ka të drejtë të refuzojë heqjen e imunitetit, nuk qendron aspak. Parlamenti nuk ka të drejtë të vendosë se çfarë mase duhet të marrë gjykata ndaj një personi në hetim. Kjo është kompetencë ekskluzive e Gjykatës dhe pengimi i kësaj mase përbën ndërhyrje në territorin e gjyqësorit duke e penguar atë të bëjë punën e vet.

Pyetja shtrohet, përse kushtetuta i ka dhënë të drejtë Parlamentit të vendosë për heqjen e imunitetit?

Ka vetëm një arsye: Të ndalojë vendimin në rast se gjykata abuzon dhe përdor masa shtrënguese për të penguar një deputetët në ushtrimin e funksionit të tij të mandatuar nga populli. Pra, parlamenti merr vendim dhe shikon provat vetëm për tu bindur që hetimi nuk është politik dhe masa e arrestit nuk bëhet për të penguar deputetin nga vendimmarrja. Për çdo arsye tjetër, Parlamenti nuk ka asnjë të drejtë të gjykojë se cila është masa e duhur që duhet të marrë prokuroria.

Provat, Parlamenti nuk i kërkon për të gjykuar nëse masa është e drejtë apo jo, por vetëm për të parë nëse hetimi ka bazë apo bëhet për qëllime politike. Parlamenti nuk gjykon thelbin e provës, por vetëm kushtetutshmërinë e vendimit. E për sa kohë, as nga Balluku, as avokatët e saj, e as nga vetë Rama nuk ka asnjë pretendim se hetimi është politik, vendimi për moslejimin e prokurorisë të marrë masë ndaj saj është krejtësisht në shkelje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Për këtë arsye, argumentet e paraqitura sot nga Rama dhe Manja se Balluku nuk e cënon hetimin dhe nuk i rrezikon provat janë nul. Opinionet e tyre individuale nuk kanë asnjë vlerë juridike, pasi gjykimi mbi këtë çështje nuk është absolutisht punë e tyre, kur për këtë ka vendosur prokuroria dhe gjykata. Nëse SPAK-u e ka tepruar me masën e arrestit dhe gjykata është nxituar në miratimin e saj, ka shkallë të tjera të gjyqësorit ku mund të ankimohet ky vendim dhe nuk është Parlamenti ai që e gjykon këtë.

Në një sistem demokratik pushtetet janë të ndara. Për këtë arsye Kushtetuta i ka dhënë kompetencë Parlamentit të vendosë mbi lejimin e arrestit të deputetit, nëse hetimi është politik, por nga ana tjetër, për të njëjtën arsye, Parlamenti nuk ka asnjë të drejtë ti hyjë në territor gjyqësorit, duke i treguar atij se çfarë mase të marrë për deputetin në hetim, kur hetimi qartazi nuk është politik. Që Rama të justifikojë pengimin e arrestit duhet të pohojë detyrimisht që hetimi bëhet për qëllime politike, çfarë nuk e thotë dot. E nëse nuk është kështu, çdo refuzim për arrestimin e Ballukut është shkelje e rëndë e pavarësisë së pushteteve të sanksionuar në kushtetutë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër