A po i vjen fundi deponive ilegale?

Nga I.A
1,254 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 shkurt – Deponia rajonale Rusino në Pollog ka përfituar një investim prej mbi 1.1 milion euro, i financuar përmes një kredie nga BERZH. Ky financim përfshin furnizimin me mekanizma modernë kompaktor, ngarkues, traktor me rimorkio për ujë, kamion dhe pjesë rezervë të cilat synojnë të modernizojnë menaxhimin e mbeturinave dhe të sigurojnë standarde më të larta të sigurisë dhe efikasitetit. Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, deklaroi se ky është hapi i parë drejt krijimit të qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave, të cilat pritet të eliminojnë fenomenin e deponive ilegale, sa duhet t’i besojnë kësaj iniciative? shkruan Zhurnal.

Kur kthehet kujdesi e fokusi kah mjedisi ka shpresë se mendohet e punohet për të ardhmen – 

Deponitë ilegale janë një plagë e kahershme në Maqedoninë e Veriut, sidomos në rajonet rurale ku mungon infrastruktura për grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave. Ato shkaktojnë ndotje të ajrit, ujit dhe tokës, si dhe rrezikojnë shëndetin publik. Pra, pasojat nga këto deponi ilegale janë marramendëse dhe të paparashikueshme. 

Investimet në deponi rajonale synojnë të centralizojnë menaxhimin e mbeturinave, duke ofruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe të standardizuar sipas praktikave të Bashkimit Evropian. Dhe, kjo vërtetë krijon bazë të fuqishme se disa punë po lëvizin në drejtim pozitiv, e bëhet shpresëdhënës për një të ardhme të shëndetshme kur këto investime orientohen pikërisht për ruajtjen e mjedisit. 

Natyrisht, që sfida kryesore mbetet implementimi pajisjet moderne nuk mjaftojnë pa një sistem funksional të mbledhjes së mbeturinave, bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërgjegjësim qytetar.

Ky investim është një sinjal politik dhe institucional se qeveria më saktësisht Ministria e Mjedisit po e trajton seriozisht problemin e mbeturinave. Nëse projekti rajonal për menaxhimin e mbeturinave zbatohet sipas planit, rajoni i Pollogut pritet të ketë një deponi moderne deri në vitin 2027, duke i dhënë fund praktikës së deponive ilegale . Përfshirja e BERZH-it si partner financiar shton besueshmërinë dhe garanton mbikëqyrje profesionale.

Nuk duhet të harrojmë historikun e projekteve mjedisore në vend që shpesh ka treguar vonesa, keqmenaxhim dhe mungesë transparence. Prandaj, pa një strategji të integruar që përfshin edukimin e qytetarëve, forcimin e inspektorateve dhe gjoba për shkelësit, deponitë ilegale mund të vazhdojnë të ekzistojnë paralelisht me investimet zyrtare.

Komunat shpesh kanë kapacitete të kufizuara financiare dhe teknike për të menaxhuar mbeturinat në mënyrë të koordinuar. Kështu që, investimi në Rusino është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit të mbeturinave në Maqedoninë e Veriut. Por pyetja mbetet sigurisht se a mjafton një deponi rajonale për të zhdukur deponitë ilegale në tërë vendin? Dhe, natyrisht që vijon përgjigja jo. Nëse këto investime  shtohet edhe në rajone të tjera deponitë ilegale mund të mbeten pjesë e së shkuarës nëse jo, ato do të vazhdojnë të jenë një realitet i hidhur që çdo ditë do të na dëmtojnë shëndetin tonë dalëngadalë. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër