Abdixhiku pas marrëveshjes me LVV-në: Shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak

Nga D V
1,121 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 31 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish pas marrëveshjes së arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidatin e përbashkët për president të Kosovës.

Abdixhiku ka bërë të ditur se dy partitë do ta propozojnë bashkërisht profesorin doktor Bekim Sejdiu për këtë post, duke e cilësuar marrëveshjen si një zgjidhje të përgjegjshme dhe dinjitoze për vendin.

“Sot, po i japim Republikës tonë një zgjidhje të mbarë, të përgjegjshme dhe dinjitoze”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se pas muajsh pasigurie politike dhe institucionale, LDK-ja dhe Vetëvendosje kanë vendosur interesin e shtetit mbi interesat partiake.

“Ky është, para së gjithash, një lajm i mirë për Kosovën”, ka deklaruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka vlerësuar lart figurën e Bekim Sejdiut, duke e përshkruar si jurist të shquar, diplomat me përvojë në SHBA dhe Turqi dhe ish-gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Abdixhikut, Sejdiu është figurë me integritet, maturi dhe pavarësi, ndërsa nga ai pritet që të jetë president i të gjithë qytetarëve dhe jo përfaqësues i dy partive apo i një shumice të përkohshme.

Abdixhiku ka thënë se nga kandidati për president pritet të mbrojë rendin kushtetues, të ruajë unitetin e vendit dhe ta përfaqësojë Kosovën me dinjitet para aleatëve.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e orientimit euroatlantik dhe të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai e ka cilësuar marrëveshjen si një përgjigje ndaj jostabilitetit politik dhe ka thënë se Kosova tash mund të ketë një president dinjitoz dhe institucione funksionale.

“Zoti e bekoftë Kosovën!”, e ka përmbyllur reagimin Abdixhiku.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër