Shkup, 18 nëntor Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka marrë pjesë sonte në një panel diskutimi të organizuar nga Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”, pranë BDI-së, me temën “Marrëveshja Kombëtare për Përparim – Maqedonia e Veriut, shteti, shoqëria dhe e ardhmja evropiane”.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ahmeti ka theksuar rëndësinë e dialogut politik, përgjegjësisë institucionale dhe ndërtimit të një marrëveshjeje të përbashkët për çështjet me rëndësi strategjike për vendin.
Sipas tij, marrëdhëniet ndëretnike, funksionimi demokratik i institucioneve, barazia dhe integrimi evropian janë interesa afatgjata të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve, përtej dallimeve partiake dhe mandateve politike.
Ahmeti ka vlerësuar se përparimi i vendit kërkon vullnet politik, mirëkuptim dhe gatishmëri për bashkëpunim, duke vendosur interesin e përbashkët mbi ndasitë politike.
“Besoj se përparimi kërkon vullnet politik, mirëkuptim dhe gatishmëri për të ndërtuar ura bashkëpunimi, duke vendosur interesin e përbashkët mbi dallimet politike”, ka shkruar Ahmeti.
Diskutimi u fokusua në sfidat e shtetit dhe shoqërisë, si dhe në perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

