Aksion i suksesshëm kërkim-shpëtimi në Malet e Sharrit: Gjendet turistja e zhdukur

Nga Xh M
793 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 30 gusht Zhurnal.mk – Një shtetase nga Republika e Bullgarisë, e cila ishte raportuar e zhdukur gjatë ngjitjes drejt Majës së Sharrit (Maja e Titos), është gjetur shëndosh e mirë pas një operacioni masiv kërkimi në Malet e Sharrit.

Rasti ishte denoncuar mbrëmjen e së shtunës (29.08.2026) në orën 20:22 në Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë, përmes numrit të emergjencës 112. Personi i zhdukur u identifikua si 37-vjeçarja me iniciale N.S.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, autoritetet vendore nisën një aksion të gjerë kërkim-shpëtimi. Në këtë operacion u angazhuan zyrtarë policorë nga SPB Tetovë, Stacioni Policor i Kodrës së Diellit (Popova Shapka), pjesëtarë të Njësisë Speciale Antiteroriste “Tigri”, një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe ekipe nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe përfaqësues të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”.

E reja u gjet të dielën, rreth orës 15:00, në afërsi të vendit të quajtur “Leshnica e Epërme” dhe staneve “1 Maji”. Ajo është pikasur nga banorë lokalë, të cilët konstatuan se 37-vjeçarja ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore.

Pas gjetjes, me një automjet terreni ajo u transportua nga Leshnica e Epërme drejt Kodrës së Diellit. Më pas, përmes Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, turistja u dërgua në Spitalin Klinik të Tetovës për kontrolle rutinë dhe ndihmë mjekësore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër