Akuza për krime kundër njerëzimit, BBC: Gjenerali sirian i mbrojtur nga SHBA dhe Libani

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Damask, 8 tetor Zhurnal.mk – Një ish-gjeneral sirian, i kërkuar për krime kundër njerëzimit dhe i lidhur me programin e armëve kimike të regjimit të Bashar al-Assadit, po merr mbrojtje dhe mbështetje financiare nga autoritetet amerikane dhe libaneze.

Në këtë përfundim ka dalë një investigim i përbashkët i BBC-së dhe radios publike amerikane NPR, sipas të cilit Bassam al-Hassan, ish-këshilltar i lartë i Assadit dhe përgjegjës për programin sirian të armëve kimike, jeton në Liban që prej rrëzimit të regjimit në vitin 2024 dhe qëndrimi i tij atje është mundësuar përmes një marrëveshjeje ku përfshihen FBI-ja dhe autoritetet amerikane e libaneze.

Në këmbim të mbrojtjes, lejes së qëndrimit dhe mbulimit të shpenzimeve të jetesës, Hassan ka pranuar të japë informacione lidhur me rrëmbimin e gazetarit amerikan Austin Tice në Siri, në vitin 2012, si edhe të dhëna të tjera të inteligjencës.

BBC kishte zbuluar më herët se rrëmbimi i Tice ishte një operacion i planifikuar dhe se Hassan bënte pjesë në zinxhirin komandues përgjegjës për të.

Sipas burimeve të investigimit, ish-gjenerali merr para nga autoritetet amerikane përmes një ndërmjetësi, çka e bën më të vështirë gjurmimin e pagesave, megjithëse ai është subjekt i sanksioneve të vendosura nga vetë Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja besohet të jetë arritur në pranverën e vitit 2025. Megjithatë, persona të përfshirë në hetimin për fatin e gazetarit amerikan thonë se nuk ka prova të mjaftueshme që bashkëpunimi me Hassan të ketë sjellë përparim të rëndësishëm në zbardhjen e çështjes.

Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë së re siriane kanë deklaruar se kërkojnë kthimin e ish-gjeneralit në Damask për t’u përballur me drejtësinë, por pretendojnë se autoritetet amerikane këmbëngulin që ai të qëndrojë në Bejrut.

Zbulimet e investigimit kanë shkaktuar reagimin e familjes së Austin Tice. Zëdhënësi i saj, Phil Elwood, e cilësoi të papranueshme mundësinë që paratë e taksapaguesve amerikanë të përdoren për të siguruar një jetë të rehatshme për një person të lidhur me përdorimin e armëve kimike kundër civilëve sirianë.

“Kjo nuk është asgjë më pak se ndihmë për arratisjen e një krimineli lufte të kërkuar. Sirianët meritojnë drejtësi dhe ai duhet të kthehet për t’u gjykuar”, deklaroi Elwood.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër