Një qytetar serb nga veriu i Kosovës pretendoi se ishte keqtrajtuar fizikisht nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës gjatë një ndalese në pikën e kontrollit tek Ura e Bistricës, në Leposaviq. Pretendimi u publikua nga media lokale dhe u shfrytëzua menjëherë në rrjete sociale, veçanërisht në Telegram, për përhapje të mesazheve të urrejtjes dhe thirrje për dhunë.
Megjithatë, pamjet e kamerave të sigurisë dhe kamerave trupore të policisë dëshmuan se bëhej fjalë për një kontroll rutinë, pa asnjë përdorim force apo keqtrajtim nga zyrtarët policorë. Videoja e plotë tregon se kontrolli zgjati rreth shtatë minuta dhe përfundoi pa incidente, pas çka vetura u lejua të vazhdonte rrugën.

