Ekzistojnë shqetësime se stadiumi i planifikuar për të pritur ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 mund të mos jetë gati në kohë.
Më 11 qershor 2026 do të nisë Botërori 2026, me turneun që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Ndeshja hapëse e turneut, mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut është planifikuar të zhvillohet në ‘Estadio Azteca’ në Meksikë.
Megjithatë, javët e fundit janë shtuar pasiguritë se stadiumi mund të mos përfundojë në kohë për të pritur ndeshjen hapëse të Botërorit.

Situata mund të ndikojë edhe te kombëtarja e Anglisë, pasi ekziston mundësia që skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel të përballet me Meksikën në stadiumin Azteca në fazën e 1/8-s së finales, nëse “Tre Luanët” fitojnë grupin e tyre.
Së fundmi, YouTuberi Armand Alejandre vizitoi stadiumin Azteca për të dhënë një përditësim mbi rinovimet e planifikuara.
Alejandre tregoi pamjet aktuale të zonave përreth stadiumit. Siç shihet në video, punimet e ndërtimit vazhdojnë në pjesën e jashtme të objektit.
Në video u shfaq edhe pjesa e brendshme e stadiumit, duke u dhënë tifozëve një pasqyrë mbi progresin e punimeve që po realizohen në prag të Kupës së Botës.
