Shkup, 5 qershor, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me protestën e punonjësve të Klinikës së Fëmijëve para Ministrisë së Financave, duke e cilësuar situatën si një dështim të rëndë institucional ndaj stafit që çdo ditë kujdeset për shëndetin e fëmijëve.
Sipas partisë, rreth 50 punonjës të kësaj klinike kanë mbetur pa paga për disa muaj, ndërsa institucionet kompetente kanë vonuar vendimet dhe përgjigjet lidhur me vazhdimin e kontratave të tyre të punës.
Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se dokumentacioni për vazhdimin e kontratave është dorëzuar që në muajin janar, ndërsa përgjigjet negative kanë ardhur vetëm pas pesë muajsh pritjeje.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, këta punonjës kanë vazhduar të kryejnë detyrat e tyre deri në fund të muajit maj, pa marrë paga dhe pa pasur siguri për statusin e tyre të punës”, thuhet në reagimin e partisë.
Sipas tyre, situata nuk mund të konsiderohet thjesht si një vonesë administrative, por si pasojë e keqmenaxhimit, papërgjegjësisë dhe mungesës së respektit ndaj punonjësve që kanë mbajtur funksionale shërbime të rëndësishme për fëmijët dhe familjet e tyre.
Aleanca për Shqiptarët nënvizon se në mesin e të prekurve ka punonjës me deri në tetë vite përvojë pune në Klinikën e Fëmijëve, të cilët, sipas tyre, nuk mund të trajtohen si staf i përkohshëm.
Partia vlerëson se arsyetimet për mungesë buxheti dhe vonesat pa sqarime të qarta vetëm sa e thellojnë padrejtësinë ndaj punonjësve që kanë kryer detyrat e tyre pa u kompensuar.
Në reagim kërkohet pagesa e menjëhershme e pagave të prapambetura, zgjidhje e statusit të punonjësve dhe përgjegjësi nga institucionet që kanë lejuar zvarritjen e problemit për muaj të tërë.
“Kujdesi ndaj stafit të Klinikës së Fëmijëve është kujdes ndaj vetë shëndetit të fëmijëve. Një shtet që lë pa paga njerëzit që kujdesen për fëmijët, ka dështuar aty ku nuk guxon të dështojë”, thuhet në fund të reagimit të Aleancës për Shqiptarët. /Zhurnal.mk/
