Tetovë, 25 prill Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim njoftoi se ka mbajtur mbledhjen e tretë të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, e thirrur nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti.
Në këtë takim janë diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në sfidat që lidhen me respektimin e Marrëveshja e Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si dhe shqetësimet për cenimin e balancës ndëretnike dhe funksionimit demokratik të institucioneve.
Po ashtu, në mbledhje janë trajtuar çështje të organizimit të brendshëm partiak, me fokus në konsolidimin dhe fuqizimin e strukturave në terren, si përgjigje ndaj zhvillimeve të reja politike.
Në këtë kuadër, Ahmeti ka njoftuar për emërimet e reja në degët e partisë:
Bogovinë – Elez Ramadani
Jegunovcë – Valon Nuhiu
Shuto Orizarë – Ilaz Leskovica
Nga BDI theksojnë se në këtë periudhë kërkohet qartësi, përgjegjësi dhe vendosmëri në mbrojtjen e arritjeve strategjike dhe të drejtave të qytetarëve.
Partia rithekson përkushtimin për forcimin e strukturave të saj, ruajtjen e stabilitetit politik dhe avancimin e proceseve demokratike dhe eurointegruese të vendit.
