Likovë, 19 korrik Zhurnal.mk – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së Likovës, ku është theksuar rëndësia e unitetit, organizimit dhe angazhimit të strukturave të partisë në këtë komunë.
Gjatë kuvendit janë zgjedhur Kryesia e Degës, Këshilli Mbikëqyrës dhe Komiteti i Veteranëve. Ahmeti u ka uruar suksese të zgjedhurve të rinj, duke i inkurajuar që me përkushtim t’u shërbejnë qytetarëve dhe të vazhdojnë realizimin e objektivave të përbashkëta.
Në fjalën e tij, Ahmeti e cilësoi Likovën si simbol të qëndresës, dinjitetit dhe angazhimit kombëtar, duke shprehur bindjen se me energjinë e strukturave të reja, përvojën e aktivistëve dhe mbështetjen e qytetarëve, BDI do të vazhdojë rrugëtimin drejt sukseseve dhe fitoreve të reja.
