Shkup, 17 korrik, Zhurnal.mk – Debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ka hyrë në një fazë të re tensioni politik, ku votimi elektronik po shndërrohet në pikën qendrore të një narrative që sipas shumë aktorëve po përdoret më shumë si alibi sesa si reformë substanciale. Dështimi i partive politike për të arritur marrëveshje brenda afatit të caktuar ka rikthyer në skenë dy çështjet më të ndjeshme të sistemit zgjedhor njësinë e vetme zgjedhore dhe listat e hapura. Pikërisht këto dy elemente, të cilat prekin drejtpërdrejt zgjedhjet po mbeten të bllokuara, ndërsa votimi elektronik po paraqitet si “zgjidhja moderne” që justifikon mungesën e progresit, shkruan Zhurnal.
Spin politik apo reformë e qëllimshme?
Kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova, e artikuloi qartë këtë dilemë në intervistën për Telma, duke thënë se:
“Votimi elektronik është vetëm një spin për të mos u realizuar një njësi e vetme zgjedhore dhe për të mos u futur listat e hapura.”
Deklarata e deputetes Zajkova nuk është thjesht kritikë partiake por pasqyron një perceptim të gjerë në opinionin publik se votimi elektronik po përdoret si shkas jo si reformë funksionale. Në një sistem ku besimi në procesin zgjedhor është i luhatshëm çdo lëvizje që prek mekanizmin e votimit kërkon konsensus të gjerë, transparencë të plotë e që asnjëra prej këtyre nuk është bërë.
Status quo-ja si strategji
Zajkova shtroi një pyetje që prek thelbin e problemit.
“Unë nuk e di nga kush kanë frikë a kanë frikë nga qytetarët apo nga zëri i qytetarit prandaj u përshtatet ta mbajnë status quo-në.”
Status quo-ja u përshtatet atyre që përfitojnë nga sistemi aktual partive të mëdha, strukturave të konsoliduara dhe elitave që kontrollojnë listat zgjedhore. Çdo ndryshim që rrit konkurrencën brenda listave, që hap sistemin ose që barazon votën, perceptohet si rrezik për dominimin e tyre.
Në këtë kontekst, votimi elektronik shërben si narrativë e sigurt tingëllon modern, teknologjik, evropian, por nuk prek ekuilibrat politikë. Është një reformë që duket si reformë, por nuk ndryshon asgjë.
A është votimi elektronik i realizueshëm?
Edhe nëse hiqet dimensioni politik, votimi elektronik kërkon një proces të qartë kronologjik të përgatitjes teknike. Fillimisht duhet ngritur infrastruktura kibernetike që garanton sigurinë e votës dhe mbrojtjen nga sulmet. Më pas duhet vendosur një sistem i saktë verifikimi të identitetit, që eliminon gabimet dhe mundësinë e manipulimit.
Vetëm pas këtyre hapave mund të fillojë prova në disa cikle zgjedhore, për të testuar funksionalitetin dhe besueshmërinë. Paralelisht, procesi duhet të harmonizohet me standardet e BE-së, të cilat kërkojnë transparencë të plotë dhe auditim ndërkombëtar.
Në fund, kodi i sistemit duhet të publikohet dhe të auditohet profesionalisht, në mënyrë që të garantohet besimi publik. Asnjë prej këtyre fazave nuk është diskutuar seriozisht, çka e bën votimin elektronik të pamjaftueshëm si argument për të shtyrë reformën zgjedhore.
Votimi elektronik nuk mund të jetë justifikim
Nëse votimi elektronik përdoret si argument për të mos hapur sistemin, atëherë ai nuk është reformë është alibi politike. Debati për Kodin Zgjedhor nuk mund të reduktohet në një çështje teknike, sepse thelbi i tij është demokratik kush kontrollon listat, kush përfiton nga sistemi aktual dhe sa fuqi ka vota e qytetarit.
Reforma zgjedhore nuk mund të zëvendësohet me teknologji. Ajo kërkon vullnet politik, transparencë dhe guxim për të ndryshuar rregullat e lojës. Derisa këto mungojnë, votimi elektronik do të mbetet vetëm një spin një tymnajë apo mjegull që mbulon mungesën e reformës së vërtetë. /Zhurnal.mk
