Manastir, 31 tetor Zhurnal.mk – “ALTA Banka SHA Manastir” ka njoftuar se është likuide dhe vazhdon punën normalisht, pas zhvillimeve të fundit lidhur me ALTA Bankën në Serbi, së cilës iu hoq licenca e punës.
Nga banka theksojnë se ajo është person juridik i pavarur, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, që funksionon sipas legjislacionit vendor dhe është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Popullore.
Të gjitha degët dhe bankomatet funksionojnë normalisht, ndërsa klientët kanë qasje të papenguar në paratë e tyre dhe mund t’i kryejnë të gjitha transaksionet bankare.
Banka thekson se zhvillimet në Serbi nuk nënkuptojnë ndryshim automatik të gjendjes së saj financiare apo statusit juridik në Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu, nga ALTA Banka rikujtojnë se depozitat e personave fizikë janë të siguruara përmes Fondit për Sigurimin e Depozitave, në përputhje me kushtet dhe kufijtë ligjorë.
