APIS: Ligji për lojërat e fatit është miratuar “në të zezë”

Nga D. V.
943 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 qershor, Zhurnal.mk – Asociacioni i Organizatorëve të Lojërave të Fatit reagoi ndaj miratimit të Ligjit të ri për lojërat e fatit në Kuvend. Sipas APIS‑it, ligji i sapomiratuar për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese përmban dispozita që bien ndesh me vlerat themelore kushtetuese, si dhe me nenin 55 të Kushtetutës së Maqedonisë, me të cilin garantohen liria e tregut dhe e sipërmarrjes.

“Po të mendonin vërtet propozuesit e ligjit se lojërat e fatit janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve, atëherë këtë së pari duhej ta dëshmonin në procedurë të rregullt gjyqësore, e më pas t’i ndalonin plotësisht. Kështu, me distancimin 500 metra nga shkollat krijohet diskriminim antikushtetues, bazuar në një rrethanë urbanistike që nuk është fikse”, thuhet në reagimin e APIS‑it.

Sipas organizatorëve të lojërave të fatit, ligji i ri është propozuar me nxitim, nuk është publikuar në ENER dhe për këtë arsye odave ekonomike, asociacioneve dhe sindikatave të punonjësve u është mohuar e drejta të japin kontribut aktiv në krijimin e një rregullative të qëndrueshme dhe të zbatueshme sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.

“Njëkohësisht, shumica parlamentare vendosi që 10 mijë të punësuar në sektorin e lojërave të fatit dhe familjet e tyre, në dy vitet e ardhshme, gradualisht të mbeten pa punë dhe të detyrohen të largohen nga Maqedonia. Ministria e Financave, si propozues i autorizuar i Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, me vetëdije ose pa vetëdije shprehu gatishmëri të rrezikojë dëmshpërblime potencialisht astronomike duke mbrojtur distancën kushtetuesisht të diskutueshme prej 500 metrash nga shkollat, e cila, përveçse diskriminuese, është e pazbatueshme në terren dhe për këtë arsye do të shkaktojë mbylljen e objekteve legale të lojërave të fatit”, vlerëson APIS.

Sipas tyre, institucionet kompetente duhet t’i njoftojnë qytetarët se me vetëdije heqin dorë nga mbi 350 milionë euro të ardhura vjetore në buxhetin qendror nga lojërat legale të fatit — që për ilustrim përbëjnë mbi 6 për qind të të ardhurave të planifikuara në propozim‑buxhetin për vitin 2026.

“Pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet t’i sqarojnë opinionit se me miratimin e këtyre dispozitave antikushtetuese dhe diskriminuese po hapin gjerësisht derën për lojërat e fatit në të zezë, të cilat do të zhvillohen në bodrume, pa kontroll të shtetit, ku të rinjtë do të jenë vërtet të rrezikuar. Qytetarët ende e kujtojnë aferën ‘Detonator’ të vitit 2011, kur u sekuestruan 1.500 aparate pokeri të vendosura në të zezë. Ne jemi të bindur se parashikimet tona do të realizohen. Nuk është rastësi që në Shqipëri qeveria u tërhoq nga ndalimi katërvjeçar i lojërave të fatit. Nuk ka shtet ku hapat radikalë për mbylljen e objekteve legale të lojërave të fatit nuk kanë sjellë automatikisht hapjen e lojërave në të zezë”, thuhet në reagimin e APIS‑it.

Siç theksojnë ata, kur institucionet nuk kanë vesh për vërejtjet e asociacioneve, të punonjësve dhe të investitorëve seriozë të huaj në sektorin e lojërave të fatit, atëherë detyrë e tyre është të mbrojnë të punësuarit, sigurinë juridike dhe të drejtat ekonomike të garantuara me Kushtetutë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër