Salzburg, 20 maj Zhurnal.mk – Një shtetas 36-vjeçar i Maqedonisë së Veriut është arrestuar në Salzburg të Austrisë, nën dyshimin se ka marrë pjesë në një grabitje brutale në Gjermani, ku si pasojë humbi jetën një burrë 93-vjeçar.
Sipas policisë austriake, i dyshuari ishte në kërkim me urdhër-arrest evropian dhe pas arrestimit është dërguar në burgun Puch-Urstein, pranë Salzburgut.
Arrestimi është kryer në lagjen Elisabeth-Vorstadt, afër stacionit hekurudhor, ndërsa hetuesit bëjnë të ditur se viktima kishte ndërruar jetë nga plagët e rënda të marra gjatë sulmit.
Edhe pse autoritetet gjermane dhe ato austriake ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht se bëhet fjalë për të njëjtin rast, shumë detaje tregojnë se i arrestuari lidhet me grabitjen që ndodhi gjatë fundjavës së parë të majit në Këln.
Sipas hetimeve, autorët kishin hyrë me forcë në bungalow-n e 93-vjeçarit, e kishin sulmuar fizikisht dhe më pas kishin kontrolluar shtëpinë para se të largoheshin me sendet e grabitura. Më 3 maj, fëmijët e viktimës e gjetën atë të pajetë në banesë, ndërsa autopsia konfirmoi se vdekja ishte shkaktuar nga lëndime të rënda trupore.
Policia gjermane më herët kishte arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë, një 30-vjeçar dhe një 59-vjeçar, ndërsa 36-vjeçari që u arrestua në Austri ishte ende në arrati.
Pas arrestimit në Austri, autoritetet kanë nisur procedurat shtesë hetimore dhe koordinimin me drejtësinë gjermane për ekstradimin e mundshëm të të dyshuarit.
