Prishtinë, 20 maj Zhurnal.mk – Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka mbështetur projektin e RTK-së për rikthimin e festivalit tradicional ‘Akordet e Kosovës’, ku risi do të jetë edhe festivali për fëmijë, që për herë të parë do të organizohet nga RTK.
Radiotelevizioni i Kosovës dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit kanë nënshkruar sot marrëveshjen e re të bashkëpunimit për rikthimin dhe zhvillimin e projektit tradicional “Akordet e Kosovës” në kuadër të programit të RTK-së.
Marrëveshja u nënshkrua nga U.D. Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu dhe ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, në prani të kryetarit të Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, U.D. drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvalla, si dhe këshilltarit të lartë të MKT-së, Muhedin Nushi.
Marrëveshja parashikon që nën ombrellën e Akordeve të Kosovës të jetë Festivali i Këngës në RTK, ndërsa risi është rikthimi i festivalit për fëmijë në këtë skenë të madhe.
Ky bashkëpunim synon fuqizimin e skenës muzikore vendore, promovimin e talenteve të reja dhe avancimin e prezencës së Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare të muzikës.
RTK tashmë deklarohet e gatshme për misionin e saj për pjesëmarrje në “Eurovision Song Contest’ dhe ‘Junior Eurovision Song Contest’, të organizuara nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), duke e konsideruar këtë projekt si një platformë të rëndësishme për afirmimin e muzikës dhe artistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.
Marrëveshja e re paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit paraprak trevjeçar ndërmjet RTK-së dhe Ministrisë së Kulturës, i cili kishte përfunduar këtë vit. Palët janë dakorduar që bashkërisht të angazhohen në organizimin e festivalit, zhvillimin e programeve trajnuese për artistët dhe promovimin e muzikës kosovare.
Detajet lidhur me datat, formatin dhe mënyrën e aplikimit do të publikohen nga RTK dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit në ditët në vijim.
“Akordet e Kosovës” ka qenë festivali i parë dhe ndër më të rëndësishmit e muzikës shqipe në Kosovë. I themeluar në vitin 1963 nga Radiotelevizioni i Prishtinës, festivali ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e muzikës argëtuese, popullore dhe asaj për fëmijë, duke promovuar gjenerata të tëra kompozitorësh dhe këngëtarësh.
Pas mungesës shumëvjeçare të një festivali të tillë, RTK, në kuadër të marrëveshjes paraprake me Ministrinë e Kulturës, organizoi tri edicione të Festivalit të Këngës, duke sjellë një dimension të ri në jetën kulturore të vendit.
Fitues i edicionit të parë ishte La Fazani (Arbër Salihu) me këngën “Oj Kosovë”, edicionin e dytë e fitoi Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen”, ndërsa në edicionin e tretë triumfoi Arsi Bako me këngën “Rreze zjarri”.
