Artan Tafani dëshmon në GJKKO për tritolin në lokalin e reperit: Atë ditë Kleviol Ahmeti ishte zënë me Noizyn. Lëndën plasëse e vendosa te dera, ndeza fitilin dhe ika

Nga D. V.
535 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Artan Tafani, i penduari i drejtësisë, po dëshmon në Gjykatën e Posaçme për tritolin e vendosur në lokalin e reperit të njohur Noizy, emri i vërtetë Rigels Rajku.

Sipas dëshmisë së tij, të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anhila Hoxha, ngjarja ka nisur pas një përplasjeje në rrjetin social TikTok mes Kleviol Ahmetit dhe Noizyt, e cila më pas është përshkallëzuar në konflikt fizik dhe plan për hakmarrje.

Tafani ka deklaruar se grupi është mbledhur në zonën e Astirit, ku sipas tij janë diskutuar planet. Ai tha se Laerti, ka insistuar për vendosjen e eksplozivit në lokalin e reperit.

Tafani ka rrëfyer se fillimisht ishte menduar vendosja e lëndës plasëse brenda lokalit, por më pas plani është ndryshuar dhe eksplozivi është lënë pranë një dyqani poshtë godinës, ku është ndezur fitili dhe është braktisur vendi i ngjarjes.

Dëshmia e Artan Tafanit: Kemi ndenjur në Astir. Gjatë kësaj kohe Laerti ndiqte TikTok-un. Kleviol Ahmeti është nga Lushnja, te lagjja e Laertit. Atë ditë Kleviol Ahmeti është zënë me Noizyn. Janë ofenduar në TikTok. Kanë shkuar edhe te lokali dhe janë zënë. Klevioli dhe Laerti janë rritur bashkë. Nuk i erdhi mirë Laertit që ishte rrahur Klevioli. Laerti po thoshte t’i vendosim tritol Noizyt pse ka rrahur Noizyn. Vëllai i Laertit, Luisi, po diskutonte nga Gjermania në kamera me Laertin. I tha vëllai: çfarë bëni, mos bëni gabim ta vendosni. Në një moment e lanë. Mori nëna e Laertit në telefon, po diskutonin për goditjen e Laertit. Gjynah si e goditi Noizy Kleviolin. Më tha mua dhe Lulzimin: çohuni vendoseni tritolin. E bëmë gati, kishim tritol në shtëpi. Shkoni në orën 4, tha.

Tritolin e merrnim në Tepelenë. E izoluam me ngjitës, 100–200 gramëshe, i bëra bashkë. U nisëm, përgatitëm makinën, u nisëm me makinën time. E dinte Lulzim Spahia lokalin. Shkuam atje, parkova afër lokalit. Laerti na tha ta hidhnim brenda në lokal tritolin.

Nuk po gjeja nga shkallët nga të hyja në kat të dytë. U ktheva prapë te makina, i them ta vendos te dyqani i rrobave poshtë. Mirë, thotë, vendoseni te dyqani. E vura te dera, ndeza fitilin dhe ika.

SPAK: Mes teje dhe Lulzimit, kush vendosi që eksplozivin ta vendosnit ju? E morët ju përsipër?

Tafani: Laerti vendosi ta hidhja unë. Po herën e parë s’gjeta shkallët, i thashë Lulzimit shko ti ta vendosje. I thotë Laerti: jo, jo, ta vendos unë.

SPAK: Mendon se të ka parë njeri atë natë?

Tafani: Po, ishte një fastfood hapur. Një njeri ishte në banak. Kaluan dhe dy veta aty. Pasi e ndeza ika me vrap unë te makina.

SPAK: Si u mor vesh se Noizy kishte një aktivitet aty?

Tafani: E dinte Laerti dhe Lulzimi.

SPAK: Po ngjarja mes Kleviol Ahmetit dhe Rigelsit, si u mor vesh?

Tafani: Nga TikTok-u, sepse e ndiqte shpesh Laerti Kleviolin. S’kishte çfarë bënte.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër