Nga diploma te biznesi, Durmishi prezanton mundësitë për të rinjtë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka mirëpritur në takim studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, me të cilët ka bashkëbiseduar për perspektivën e të rinjve, mundësitë e punësimit, zhvillimin profesional dhe sipërmarrjen.

Ministri Durmishi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe të rinjve, duke nënvizuar se Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbetet e hapur për idetë, iniciativat dhe propozimet e tyre.
Me theks të veçantë, Durmishi është ndalur te Plani Operativ për Punësim, masat për vetëpunësim dhe mbështetja e sipërmarrjes, si mekanizma të rëndësishëm për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë, integrimin e tyre në tregun e punës dhe hapjen e bizneseve të tyre.

Durmishi ka potencuar se të rinjtë duhet ta ndiejnë mbështetjen e shtetit në çdo hap të zhvillimit të tyre profesional, ndërsa institucionet duhet të krijojnë kushte që njohuritë akademike të shndërrohen në mundësi konkrete punësimi dhe idetë inovative në biznese të suksesshme.

Ministri Durmishi ka ritheksuar përkushtimin e tij për krijimin e një perspektive më të mirë për gjeneratat e reja, duke përcjellë mesazhin se të rinjtë duhet të kenë mundësi ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend, me dinjitet, siguri ekonomike dhe mbështetje institucionale.
Takimi nënvizon rëndësinë e dialogut me të rinjtë dhe përfshirjes së tyre në ndërtimin e politikave për zhvillim ekonomik dhe punësim.

artikuj të ndërlidhura