Gostivar, 18 gusht Zhurnal.mk – Edhe pse disa zyrtarë lokalë dhe shtetërorë më 14 gusht pinë ujë nga një çezmë publike në Gostivar për të dëshmuar se ai është i sigurt për t’u pirë, megjithatë, katër ditë më vonë, asnjë institucion nuk dëshiron t’i bëjë publike rezultatet e analizave të fundit të ujit. Duke qenë se mostrat janë marrë dhe janë analizuar, asnjë institucion kompetent nuk jep informacione lidhur me rezultatet.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur pardje, vetëm u njoftua se rezultatet e marra janë të kënaqshme.
“Ne morëm mostra në tre vende në të njëjtën kohë në Gostivar dhe i dorëzuam për analiza në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari (AUV). Analizat bëhen atje, jo në Institut. Për përgjigje drejtohuni atje”, tha Maria Andonovska, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).
Meta iu drejtua AUV-së për përgjigje. Nga atje thanë se nuk janë në gjendje të i dorëzojnë rezultatet apo të paktën të japin informacione për gjetjet. Edhe ata përgjegjësinë ia kalojnë një institucioni tjetër. Thonë se kanë marrë mostra në shtatë pika matëse, në prani të ekspertëve nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup. Mostrat janë analizuar në dy laboratorë të ndryshëm në Shkup, një në Institut dhe një në “Ujësjellës”. Të dy institucionet, për rezultatet e marra, kanë njoftuar Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari dhe Shtabin e Krizës. Por nuk bëjnë të ditur për publikun se cilat janë ato rezultate.
“Vëmë në dukje se rezultatet e analizave laboratorike mund t’i publikojë vetëm pala që ka kërkuar analizat, ndërsa në këtë rast pala është Ndërmarrja Publike ‘Komunalec’ nga Gostivari. Prandaj, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari nuk është në gjendje t’i publikojë apo t’i dorëzojë rezultatet e analizave për të cilat nuk është kërkuese”, thuhet në përgjigjen me shkrim të AUV-së.
Duke qenë se nga AUV-ja na u tha se pala kërkuese është “Komunalec” nga Gostivari, iu drejtuam edhe kësaj ndërmarrjeje, por numri i telefonit ishte i padisponueshëm dhe nuk iu përgjigjën as pyetjeve të dërguara me email.
Portalb.mk dhe Meta.mk ishin në Gostivar më 11 gusht, më shumë se tri javë pasi në qytet ishte shpallur epidemia. Banorët e Gostivarit na thanë se nuk u besojnë informacioneve që i ndajnë institucionet, ndaj blejnë ujë të ambalazhuar për të pirë.
Dy ditë pas reportazhit tonë, më 14 gusht, disa zyrtarë lokalë dhe shtetërorë pinë ujë nga çezma e qytetit në Gostivar. Mes tyre ishin Zudi Xhelili, koordinatori i shtabit lokal të krizës dhe i punësuar në Komunën e Gostivarit, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Oliver Millanov, si dhe drejtori i Qendrës për Shëndet Publik Gostivar, Shaqir Zulbeari. Sipas tyre, analizat kanë treguar se uji në Gostivar është i sigurt për t’u pirë, përkatësisht rezultatet kanë konfirmuar se uji është mikrobiologjikisht dhe bakteriologjikisht në rregull.
Që nga shpallja e epidemisë në Gostivar më 19 korrik, autoritetet shëndetësore deri tani kanë evidentuar 1.149 persona të sëmurë nga enterokoliti, përkatësisht virusi i stomakut. Edhe pse ekspertët shëndetësorë paralajmëruan se numri i të infektuarve mund të jetë 4–5 mijë, pasi një numër i madh prej tyre nuk janë paraqitur te mjeku, nga ISHP-ja për shpjegojnë se shifra prej 1.149 bazohet vetëm në raportimet që bëjnë mjekët pas diagnostikimit dhe që i dorëzojnë në Institut.
Sipas drejtorit të AUV-së, uji në Gostivar është mikrobiologjikisht në rregull që nga fundi i javës së kaluar.
