Balla: Respektojmë vendimet e Kushtetueses, pagat janë kompetencë e Kuvendit

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot në Konferencën e Kryetarëve se sesioni i tretë i legjislaturës do të jetë një periudhë intensive pune për Kuvendin, me fokus kryesor shqyrtimin e projektbuxhetit dhe të nismave ligjore të depozituara.

Balla u bëri thirrje kryetarëve të komisioneve parlamentare që të trajtojnë me prioritet të gjitha projektligjet e disponueshme, në mënyrë që Kuvendi të përmbushë afatet kushtetuese dhe ligjore.

Duke iu referuar debatit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me statusin e magjistratëve, ai theksoi se Kuvendi ka ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara dhe se grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar brenda afateve projektligjin që adreson këtë vendim.

“Ne kemi respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kemi ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të propozuar ligjin përkatës. Ky krah i Kuvendit nuk ka vënë asnjëherë në diskutim vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo të gjykatave të tjera”, u shpreh Balla.

Ai nënvizoi se përcaktimi i nivelit të pagave është kompetencë ekskluzive e Kuvendit dhe se respektimi i parimit të ndarjes së pushteteve mbetet thelbësor për funksionimin e shtetit ligjor.

Në përfundim, Balla mbështeti propozimin që projektligji i depozituar nga deputetët socialistë të shqyrtohet sa më shpejt në komisionet parlamentare dhe të kalojë për miratim në seancë plenare sipas kalendarit të Kuvendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër