Shkup, 26 gusht, Zhurnal.mk – Çdo vit në shkollat e vendit regjistrohen gjithnjë e më pak nxënës të klasës së parë, dhe i madh është edhe numri i fëmijëve që nuk e arrijnë fundin e vitit shkollor, sepse ndërkohë, në mes të vitit shkollor, shpërngulen në një vend tjetër së bashku me familjet e tyre. Nataliteti i ulët dhe emigrimi i të rinjve nga shteti, çdo vit janë arsye për numrin gjithnjë e më të vogël të nxënësve të klasës së parë që regjistrohen në shkollat e vendit. Dhe, kjo është e trishtë për të ardhmen që po e pret vendin pa të rinj, shkruan Zhurnal.
Shkollat po mbyllen e ardhmja po zbehet
Viti i ri shkollor është “pas derës”, dhe deri tani, në klasën e parë në nivel shteti janë regjistruar rreth 14.500 nxënës. Ky numër, para një dekade ishte 23.266.
Në vitin 2016 në vend kishte 23.266 nxënës të klasës së parë, ndërsa vitin e ardhshëm numri u ul në 21.656. Vitin pasues në shkollë u regjistruan 22.130 fëmijë të rinj, ndërsa në vitin 2019 numri ishte 20.656. Në vitin 2020, në shkollë shkuan 21.053 nxënës të klasës së parë, ndërsa vitin e ardhshëm kishte 21.158. Numri vit pas viti ulet, kështu që vitin e kaluar në shkollë shkuan 17.921 nxënës, ndërsa sivjet ky numër është rreth 14.500. Megjithatë, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës theksuan se ky nuk është numri përfundimtar sepse deri në fund të shtatorit zgjat regjistrimi i nxënësve të klasës së parë që kanë vonuar afatin e regjistrimit.
MASH: Këtë vit mbyllen 26 shkolla të degës
Dje në konferencë për shtyp ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se këtë vit pritet të mbyllen 26 shkolla rurale ku nuk do të ketë regjistrim të nxënësve të klasës së parë dhe ku, siç tha ajo, “gjoja mësojnë” nga pesë deri në tetë fëmijë.
„Në moment kemi rreth 200 paralele më pak në arsimin fillor dhe 100 paralele më pak në arsimin e mesëm. Theksoj se kjo bëhet me qëllim që t’u mundësohet socializim nxënësve, cilësi më e mirë e arsimit të nxënësve, e jo ekzistencë e izoluar në një mjedis rural ku mbizotërojnë parime të caktuara, madje edhe stereotipe të caktuara, dhe ku cilësia e arsimit nuk mund të jetë e duhur për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Sidomos nëse bëhet fjalë për paralele të kombinuara ku mësojnë nxënës nga tre klasa të ndryshme, sa është e lejuar me ligj“, tha Janevska.
Ajo sqaroi se mësim në paralele të kombinuara do të ketë vetëm aty ku do të jenë të detyruar, pra nëse shkolla e degës ndodhet më shumë se 15‑20 kilometra larg nga shkolla e parë qendrore më e afërt.
„Nëse kemi shkollë qendrore ku ka 200 fëmijë, ndërsa në 2,5 kilometra kemi shkollë ku ka 18 fëmijë, nuk ka logjikë t’i mbajmë këta 18 fëmijë të mbyllur në atë shkollë. Duhet t’i lëvizim drejt tjetrës“, theksoi Janevska.
Emigrimi është problemi kryesor
Arsye për trendin e uljes së nxënësve janë nataliteti i dobët dhe emigrimi. Siç shpjegon për Meta.mk demografi dhe ish‑drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave, Donço Gerasimovski, nga këtu largohen kryesisht çifte të reja që kanë fëmijë, ose fëmijët e të cilëve lindin jashtë vendit.
Nëse analizohen numrat, vlen të përmendet edhe dallimi prej rreth 1.000 nxënësve në fillim të vitit shkollor krahasuar me fundin e vitit shkollor. Kjo do të thotë se gjatë vitit shkollor ata e kanë lënë shkollën dhe janë shpërngulur, thotë Gerasimovski.
Ai disa herë deri tani ka thënë se është e nevojshme të bëhet strategji për zhvillimin e politikës popullative, si dhe strategji për arsimin, si zgjidhje për këtë gjendje.
„E analizoj edhe gjendjen në shtetet e tjera. Lëvizjet demografike botërore janë kudo të pranishme. Kudo shpërngulen, edhe në Bullgari, Serbi, Shqipëri. Megjithatë, është e nevojshme që shteti më seriozisht të merret me këtë problematikë“, apelon Gerasimovski.
Prandaj, kur shohim shifrat dhe dëgjojmë deklaratat e tilla kuptojmë që e ardhmja është pa shpresë sepse fuqia apo lokomotiva rinia mungon. Dhe, kur populli mungon nuk ka gjë tjetër që e plotëson këtë mungesë, as importi e as kreditë e huaja. Kjo në fakt është është rezultat i keqbërjes politike dhe politikës pa vizion afatgjatë. /Zhurnal.mk
